E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: Rama nuk duhet të rikandidojë për Bashkinë

Në një intervistë për televizionet e Tiranës, Bello deklaroi dje se rikandidimi i Edi Ramës për Kryetar Bashkie në Tiranë, do të bënte që gjithë vëmendja të mos shkonte te Partia Socialiste, por te pushteti vendor.

“Do të jenë forumet dhe vetë kryetari Rama që do të marrë vendimin përfundimtar. Por mendimi im personal është se Rama duhet të punojë për të qenë kryeministër dhe jo kryetar Bashkie. Unë do preferoja një kryetar partie të fokusuar te Partia Socialiste, se sa te bashkia e Tiranës. Ky është mendimi im personal, pasi jam i bindur se në momentin e duhur, këtë do ta vendosin forumet dhe pa diskutim vetë zoti Rama", deklaroi Bello.

Moskandidimi i Ramës për Bashkinë e Tiranës, sipas Bellos ,do t’i japë më shumë kohë për të qenë i fokusuar në mënyrën se si duhet ta drejtojë Partia Socialiste vendin, me marrjen e pushtetit.

Deputeti i PS-së ndalet dhe në çështjet e nxehta që janë para klasës politike me nisjen e sesionit parlamentar. Beteja opozitare, sipas tij, duhet te fokusohet në Kuvend, duke shtuar se është e nevojshme që Partia Socialiste të përqendrohet më shumë në debatin institucional, duke bërë një opozitë brenda Kuvendit.

"Mendoj se është e rëndësishme që beteja e PS-së gjatë këtij sesioni parlamentar të bëhet në institucione. Partia Socialiste do të ketë mundësi që të tregojë dhe alternativën e saj në Parlament", tha dje Bello, duke iu përgjigjur interesimit në lidhje me qëndrimin ndaj protestave të paralajmëruara të opozitës.

Në lidhje me debatin për kutitë e votimit dhe ngërçin politik, Bello shton se shtatori duhet të sjellë një marrëveshje mes palëve dhe t’i jap fund konfliktit një vjeçar.

“është e nevojshme të ketë një marrëveshje mes palëve, për t’u dhënë mundësi reformave dhe proceseve integruese që të ecin para", deklaroi Bello.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një komunikim me mediat disa ditë më parë, ka deklaruar se është shpejt për të folur për rikandidimin e tij në Bashkinë e Tiranës. Ndërsa, përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe kanë deklaruar se do të ishte më e pranueshme që të mos kishin një kryetar me kohë të pjesshme, duke u shprehur kundër rikandidimit të Ramës për Kryetar Bashkie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›