Belshi turistik, 4 mijë turistë vizitojnë qytezën e liqeneve karstike në fundjavë

I pozicionuar në zonën e Dumresë, një nga perlat karstike të Mesdheut, Belshi, po tërheq vizitorë çdo ditë e më shumë. Janë afro 4 mijë vizitorë që në fundjavë i drejtohen kësaj qyteze që të befason me vlerat historike dhe arkeologjike, por që nga ana tjetër për turistët kërkohen më shumë investime.
Në Belsh ka vizitorë në çdo muaj të vitit. Vetëm përgjatë fundjavave qyteza në “kërthizë” të Shqipërisë vizitohet nga afro 4 mijë persona. Vizitorë nga qytete të ndryshme por edhe nga jashtë Shqipërisë thonë se i tërheq natyra dhe qetësia e qytetit buzë liqenit. Sakaq ka nga ata që kërkojnë më tepër investime.
Përfaqësues të Bashkisë Belsh thonë se turistët kanë interes jo vetëm për qytezën por për zonat më në periferi me resurse të shumta për zhvillimin e agro-turizmit.
Edhe pse një atraksion turistik i veçantë, në Belsh mundësitë e punësimit, dhe ndërtimit të jetesës janë të pakta ndaj vitet e fundit qyteti dhe fshatrat përreth tij janë përballur me largime masive.
Gazetare: Heriselda Dyrmishi
/rtsh/