Belshi turistik mirëpret qindra turistë, organizohet festa “Nimfa e Liqeneve“

Bashkia e Belshit gjatë muajit tetor çdo vit organizon aktivitete të shumta me qëllim promovimin e bukurive të shumta natyrore që zona ofron pjesë e të cilave janë edhe 84 liqene karstike të Dumresë. Një ndër aktivitetet e njohura që u organizua është edhe festa “Nimfa e Liqeneve “. Nëpërmjet kësaj feste promovohet kultura, traditat dhe kulinaria e zonës së Belshit.
Kryebashkiaku i Belshit, Arif Tafani tha se kjo zonë gjatë viteve të fundit ka pasur një zhvillim të madh të industrisë së turizmit dhe se e ardhmja premton shumë.
“Ejani në Belsh pasi do të gjeni një natyrë të bukur, të pastër. Do të gjeni ushqim të shëndetshëm, organik dhe gjithçka që do të dëshironi“ u shpreh Tafani.
Ministrat Arbjon Mazniku dhe Bora Muzhaqi qe inspektojnë shpesh investimet qeveritare dhe private te cilat po realizohen në këtë zonë u shprehën të sigurt se jo vetëm industria e turizmit por edhe bujqësia e pemëtaria me vëmendjen dhe kujdesin e që po tregohet do ndikojnë në fuqizimin e ekonomisë lokale të kësaj zone e cila duhet promovuar pareshtur për të thithur edhe më shumë turistë.
Festa “Nimfa e Liqeneve” bëri bashkë me belshakët edhe shumë vizitorë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si edhe turistë të huaj të cilët janë suprizuar me perlën karstike të Mesdheut siç e quajnë prej kohësh të gjithë zonën e Dumresë me kryeqendrën e saj Belshin.
/rtsh.al/