E Diel, 1 Nëntor 2026

“Benetton” shpreson ta rimarrë lejen

Kompania “Benetton Grup”, e cila më 2006, e ka privatizuar ndërtesën e ish-hotelit “Union” në Prishtinë, zotohet se do ta rindërtojë ndërtesën, ashtu siç ka qenë, duke ia ruajtur vlerat historike dhe arkitektonike.

Muaj më parë, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për tërheqjen e lejes për rehabilitimin e ish-hotelit “Union”, i cili ishte djegur në gusht të vitit 2009, me arsyetimin se objekti është shkatërruar shumë dhe vlerat arkitektonike që ai ka pasur, tashmë nuk ekzistojnë.

Franko Purno, drejtor ekzekutiv i “Benetton Grup”, sot në një konferencë për shtyp në Prishtinë bëri publik projektin e rinovimit të kësaj ndërtese, megjithëse kompania nuk ka rimarrë lejen për renovim.

Purno tha se ndërtesa do të jetë e bukur, duke ruajtur vlerat arkitektonike dhe historike.

“Ndërtesa e re e “Benettonit” në Prishtinë do të ketë të gjitha vlerat arkitektonike të ndërtesës së ‘Unionit’, e cila fatkeqësisht është dëmtuar rëndë”, ka thënë Purno.

Ai bëri të ditur se “Grupi Benetton” është në biseda me Komunën e Prishtinës sa i përket lejes së ndërtimit. “Që nga momenti, kur Komuna e Prishtinës të japë lejen e ndërtimit, projekti do të përfundojë për nëntë muaj”, ka thënë Purno, i cili u shpreh i bindur se të gjitha pengesat do të kalohen dhe se Kuvendi Komunal do t’ua japë lejen.

Sipas tij, investimet që do të bëhen në këtë ndërtesë kalojnë shifrën prej 10 milionë euro.

Para se të digjej, ndërtesa ishte vendosur për shitje në vitin 2007, nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës, dhe u ble nga Aziz Tafaj, i cili pati thënë se objektin do ta shndërrojë në qendër tregtare. Por, ndërtesa u dogj në vitin 2009, ndërsa gjatë rindërtimit ai u dëmtua aq shumë, duke detyruar Komunën të ndërhyjë.

Hoteli, i cili fillimisht mbante emrin "Skënderbeu", e pastaj "Union" ishte ndërtuar qysh në vitin 1927. Ai konsiderohej si njëri ndër objektet më të vjetra të kryeqytetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›