Bëni kujdes me mishin e përpunuar
Konsumimi i një salsiçeje ose dy fetave proshutë në ditë e rrit rrezikun e prekjes nga kanceri i pankreasit me afërsisht 20 për qind. Madje, studiuesit shprehen se edhe sasi relativisht të vogla të mishit të përpunuar rrisin mundësinë e zhvillimit të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.
Kanceri i pankreasit është cilësuar shpesh si vrasësi i heshtur, pasi në shumicën e rasteve nuk shfaq simptoma deri në fazat e përparuara të sëmundjes. Edhe pas shfaqjes së simptomave, të prekurit mund të mos i drejtohen mjekut për disa kohë, duke menduar se ato janë pasojë e lodhjes ose stresit. Në shumicën e rasteve, simptomat janë: dhimbje shpine, humbje oreksi dhe rënie në peshë. Zakonisht, sëmundja diagnostikohet atëherë kur është tepër vonë dhe nuk mund të bëhet pothuajse asgjë. Kanceri i pankreasit ka numrin më të vogël të të mbijetuarve se të gjitha llojet e tjera të kacerit. Vetëm 3 për qind e të sëmurëve me kancer në pankreas mund të jetojnë më gjatë se pesë vjet.
Shkencëtarët suedezë kanë zbuluar se konsumimi i 50 gramëve mish të përpunuar në ditë e rrit mundësinë e prekjes nga kjo sëmundje me 19 për qind. Kjo sasi është e barabartë me një salsiçe apo dy feta proshute. Për më tepër, rreziku shtohet në përpjesëtim të drejtë me sasinë e konsumuar. P.sh. nëse konsumohen 100g mish i përpunuar, rreziku rritet në 38 për qind, ndërsa shkon në 57 për qind për një sasi prej 150g. E nëse kësaj i shtohet edhe rreziku që vjen nga konsumimi i duhanit
Studimi që nxori këtë përfundim, i cili u publikua në British Journal of Cancer u krye mbi analizën që iu bë 6 000 pacientëve që vuanin nga kanceri i pankreasit.
Një studim i mëparshëm provonte se mishi i kuq dhe ai i përpunuar ndikojnë edhe në shfaqjen e kancerit të zorrëve. Për këtë arsye, vitin e kaluar qeveria në Suedi publikoi disa udhëzime, në të cilat konsumatorët këshilloheshin të kufizonin sasinë e mishit të kuq dhe atij të përpunuar.
Në Britani, nga kanceri i pankreasit vdesin 8 000 vetë në vit. Vitin e kaluar kjo sëmundje i mori jetën gjeniut të Apple, Stiv Xhobs, ndërsa në 2009-n nga kanceri në pankreas vdiq edhe ylli i “Kërcim dashurie”, Patrik Sueiz.
Përgatiti: Gazmira Ndoja