Presidentja të vendos dialog mes partive politike

Sipas tij, presidentja obligohet me Kushtetutë që të thërrasë për dialog subjektet politike dhe atë ajo duhet ta bëjë sa më shpejt.
Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku me këtë rast është konfirmuar rendi i ditës për mbledhjen plenare të 20 janarit, duke shtuar edhe një ligj në lexim të dytë për policinë.
Edhe pse i pyetur mbi zhvillimet më 14 janar, Krasniqi fillimisht ka folur se mbi atë se sivjet kombi shqiptar është në një vit të rëndësishëm, siç është 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, dhe 4 vjetori i pavarësisë së Kosovës.
Por duke u kthyer tek pyetja e gazetarëve, Krasniqi tha se është përgjegjësi e gjithë subjekteve politike që detyrat e obligimet t’i kryejnë konform Kushtetutës dhe ligjeve, ndërsa kërkoi që presidentja të luaj rolin e saj për të gjetur një zgjidhje nga kjo situatë.
“Unë në këtë rast kisha kërkuar nga presidentja e vendit që të ushtron detyrat e saja kushtetuese për të vendosur një dialog mes subjekteve politike në Kosovë. Qytetarët e Kosovës institucionet e Kosovës kanë obligim debatin për zhvillimet e ardhshme, të zhvillojnë në institucione dhe mendoj që përgjegjësia e presidentes është që të vendos një komunikim mes subjekteve politike parlamentare dhe jo parlamentare”, ka thënë Krasniqi, siç transmeton Kosovapress.
Duke u ndërlidhur me arrestimet e deputetëve më 14 janar, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se ai personalisht ka dhënë një kontribut për mbrojtjen e imunitetit të deputetëve, ndërsa rekomandoi që tani deputetët të rishikojnë qëndrimin e tyre që i kanë pasur ndaj kësaj çështje mjaft të rëndësishme.
Krasniqi përveç që shprehu keqardhja nuk ka dashur të komentoj më shumë lidhur me arrestimin e rrahjen e nënkryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Sipas Krasniqit, Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një vendim dhe ai vendim e ngarkon Qeverinë e Kosovës për të vendosur reciprocitet dhe jo ndonjë subjekt politik.
“Unë shpreh keqardhje për masën e zhvillimit të 14 janarit, por realisht ju e dini që Kuvendi e ka një vendim dhe në atë vendim e ngarkon Qeverinë për të vendosur masat e reciprocitetit dhe janë çështje të drejtpërdrejta të pushtetit, nuk e kemi ngarkuar asnjë subjekt politik, as Vetëvendosjen. Dhe unë konsideroj që Vetëvendosja është dashur t’i harxhon të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese që i ka për të ngritur çështjet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si institucion më i lartë ku zhvillohet debati”, ka deklaruar ai.
Kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi ka mohuar të ketë krizë politike në vend, duke thënë se ka vetëm mendime të kundërta politike për një çështje të caktuar.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit përveç se është konfirmuar rendi i ditës për mbledhjen plenare të 20 janarit dhe është shtuar edhe një ligj në lexim të dytë për policinë, është diskutuar edhe për ndarjen e hapësirave për deputetë në aneksin e meremetuar të Kuvendit.