E Diel, 1 Nëntor 2026

Benitez habitet për zërat në media, Morati merr dy ditë kohë për ta shkarkuar

Benitez: Jam trajneri i Interit dhe dua të vazhdoj të fitoj këtu. Morati nga mesjava pritet të vendosë për të ardhmen e teknikut

Pushimet dimërore kanë ardhur në momentin e duhur për skuadrën e Interit. Kampionët e botës për klube prej ditësh janë pezull: trajneri Benitez në Abu Dabi “kërcënoi” Moratin me dorëheqje, në qoftë se nuk ndërhyn në merkato (“duhen edhe katër lojtarë”), ndërkohë që dje për një radio spanjolle deklaroi se është i habitur nga thashethemet që flasin për largimin e tij, që me sa duket, është shumë i afërt, pasi Morati ka marrë dy ditë kohë për të menduar për zëvendësuesin ideal.

Benitez: Jam akoma tekniku i Interit

“Jam ende trajneri i Interit. Sinqerisht, jam i habitur nga zërat që qarkullojnë në gazeta dhe televizione, - tha ish-tekniku i Liverpulit për radio “Onda Cero”. - Nga ana tjetër nuk mund të shtirem e të them se tani po kaloj momente të bukura tek Interi”. Më pas, trajneri spanjoll tregoi se pushimet do t’i kalonte në Liverpul dhe në janar do të rikthehej përsëri në Itali. “Unë dua të qëndroj, por më duhet të them se Morati duhet të marrë një vendim”. Gjatë intervistës që dha për radion italiane Benitezi hodhi dritë mbi atë çka tha pas triumfit në Abu Dabi: “Presidenti Morati, me të cilin fola edhe para konferencës për shtyp që mbajtja atje, kishte ikur menjëherë nga Abu Dabi me avion, kështu mendova se mënyra më e mirë për të bërë publike gjendjen tonë ishte të flisja gjithçka për mediat, - vazhdoi tekniku spanjoll. - Unë me Moratin kam biseduar qëkur mbërrita në Itali. I fola për projektin tim dhe ai më tha menjëherë se i dukesha një menaxher që vinte nga Anglia”. Pas zbulimit të këtyre detajeve, që e bëjnë më të kuptimtë atë “shfryrje” në Abu Dabi, Benitezi tregoi se projekti i tij i kishte pëlqyer shumë Moratit. “Mendoja që përveç lojtarëve të rinj, të afronim edhe disa lojtarë me përvojë, kështu do të ndërtonim një skuadër me të ardhme, si dhe nga ana tjetër do të ulnim shpenzimet për rrogat, pra do të paguanim më pak”, - shpjegoi Benitezi. Në fund të fjalës së tij, tekniku spanjoll bëri me dije se raporti midis tij dhe Moratit ishte i mirë: “Që të dy ushqejmë respekt ndaj njëri-tjetrit. Nuk kemi pasur asnjë problem deri më tani. Mendoj se tashmë që nis merkatoja, do të kemi kohë që të gjejmë lojtarë që bëjnë diferencën. Unë dua që të vazhdoj të fitoj, dua që Interi të vazhdojë të fitojë”.

Gazprom “ndan” Interin me Spaletin

Për momentin Morati hesht. Numri një i zikaltërve deri të mërkurën nuk do të marrë asnjë vendim, pasi do të jetë në Madrid, por më pas, me shumë mundësi do t’i kërkojë “divorcin” Benitezit. Për sa i përket zëvendësuesit të këtij të fundit, Morati duket se ka hedhur poshtë zëvendësuesin e parë. Bëhet fjalë për Kapelon. Komisari teknik i përfaqësueses angleze nuk e bind presidentin zikaltër, kështu që ky i fundit duket se është fokusuar tek Spaleti. Trajneri i Zenitit të Shën Pjetërburgut (që pak javë më parë u shpall kampion në Rusi) është njëri nga teknikët më të pëlqyer nga Morati, edhe pse tratativat me Gazpromin ende nuk kanë filluar. Kështu, duke parë situatën, presidenti i zikaltërve po mendon për një tjetër opsion, atë të “përcjellësit”. Mendohet se deri në fund të këtij sezoni skuadra e Interit të drejtohet nga Barezi ose nga Zenga. Gjithsesi, në “pole” mbetet Spaleti. Tekniku i Zenitit është i preferuari i Moratit. Por ky i fundit duke qenë se është aksioner i SARAS-it (rafineria më e madhe e naftës e Mesdheut) nuk kërkon që “të acarojë” marrëdhëniet me Gazpromin (kolosi i gazit rus). Kështu që, zgjidhja deri në fund të këtij sezoni mund të jetë Bepe Barezi ose Valter Zenga. Në këtë mënyrë, në fund të sezonit Morati do të jetë i lirë që të hidhet në sulm për Spaletin ose Guardiolën.

Macola: Benitezi gaboi, tani bëj tifo për Zengën

Fjalët që ka thënë në Abu Dabi do t’i kushtojnë shumë teknikut të Interit. I këtij mendimi është Sandro Amcola, një prej ikonave të skuadrës zikaltër. Në një intervistë ekskluzive për Calciomercato.it, Macola tha: “Mendoj se gaboi me fjalët që tha në Abu Dabi. Tani mendoj se vendi i tij është në rrezik. Zgjidhja më e mirë? Mendoj se gjithçka varet nga merkatoja. Deri tani s’kam parë që ndonjë trajner i madh të jetë i lirë, prandaj jam i idesë që tek Interi duhet një trajner i përkohshëm, pra një trajner që ta shoqërojë skuadrën deri në fund të sezonit. Unë mendoj se në këtë situatë që ndodhet Interi tani, them se Zenga do të bënte mirë. Ai është një trajner me zemër zikaltër”. Ajo çka po ndodh me Interin është diçka e çuditshme. Klubi italian nuk iu gëzua Ligës së Kampioneve pasi menjëherë dha dorëheqjen Murinjo, po ashtu edhe pas Botërorit për Klube ndodhi gati e njëjta situatë. Për këtë fakt Macola theksoi: “Edhe në kohën time jetuam të njëjtën ‘dramë’, por më pas erdhi Helenio Herrera dhe gjithçka u zgjidh”.

Murinjo: Benitez? Pyesni interistët ç’mendojnë për të

Si të mos mungonin problemet që ka me lojtarët dhe shoqërinë, Rafa Benitezi dje “u shigjetua” edhe nga Hoze Murinjo. Në fakt, tekniku portugez i ktheu reston spanjollit, i cili pak ditë më parë e kishte akuzuar se nuk kishte stërvitur ashtu si duhet lojtarët për dy vjet. “Besoja se Benitezi do të më falënderonte për titullin që i dhurova (Kupa e Botës për Klube)”, - nënvizoi tekniku i Realit. Më pas “Speciali” tha: “Në fund të fundit, mund të pyesni interistët se ç’mendim kanë për mua dhe për Benitezin”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›