Bënte porosi online, kërcënonte korrierin dhe i vidhte pakon, arrestohet 32-vjeçari në Tiranë

Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohet për vjedhje.
Sipas njoftimit të policisë, 32-vjeçari E.B, bënte porosi online dhe sapo konstatonte mbërritjen e korrierëve, nën kërcënimin e një mjeti prerës, i vidhte porosine pa e paguar atë.
“Ky shtetas porosiste produktet(aparate celular) në adresën e banesës së tij dhe kur korrierët mbërrinin për të dorëzuar pakon, i kërcënonte me thikë, duke u marrë celularin pa paguar”, njofton policia.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas në datat 15,21, dhe 27.12.2024, ka kryer të njëjtën veprimtari të paligjshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular, i vjedhur me datë 27.12.2024 dhe një shumë parash.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./vizionplus.tv