Benzenberg ekspozon në hamam

Konferencën, si zakonisht, e hapi drejtori artistik Veton Nurkollari, i cili foli për ligjëratën e fotografes gjermane Jutta Benzenberg në galerinë e Hamamit, ku ajo prezantoi arkivin e punës së saj 20-vjeçare në Shqipëri dhe Kosovë. Ai poashtu tregoi për shfaqjen e filmit “Furtuna”, i prodhuar në vitin 1958 nga Kristaq Dhamo.
Ky film ka ardhur në DokuFest si pjesë e bashkëpunimit mes DokuFest dhe Qendrës se Arkivit Shtetëror të Shqipërisë. Prezent në shfaqjen e filmit ishte edhe regjisori nga Shqipëria, Kristaq Dhamo, i cili foli më detajisht për xhirimin e filmit dhe për punën me ekipin rus të filmit. Gjithashtu, shfaqja e filmit ishte shumë emocinuese edhe për regjisorin Dhamo, i cili nuk e kishte parë filmin që nga viti 1962. Festivali shpreson që ky bashkëpunim të sjellë diçka në lidhje me ruajtjen apo përmirësimin e kushteve të arkivit.
Ndërsa Jutta Benzenberg, e cila të mërkurën pat prezantimin e saj, tha që është shumë e lumtur me pjesëmarrjen në DokuFest. Ajo tha se galeria e Hamamit ishte tamam e përshtatshme për prezantimin e fotografive të saj për shkak që ambienti i përgjigjej fotografive të saj. “Natyrisht nuk ishte aq e lehtë për shkak që unë nuk tregoj vetëm fotografi, unë flas edhe për jetën e personazheve dhe jetën time e kjo për disa njerëz nuk është edhe aq e lehtë që të jenë të hapur dhe të pranojnë që dikush të flas aq hapur”.
Victoria Fine nga projekti Tiziano tregoi më gjerësisht për punëtorinë e tyre. Ka një javë që punohet me një grup prej gjashtë studentëve, të cilët po mësojnë prodhimin e filmave me iPad. Ky është bashkëpunimi i parë mes Tizianos dhe DokuFestit dhe pritet të vazhdojë edhe më gjatë. Filmat kanë tema të ndryshme dhe ata do të shfaqen në ditën e fundit të festivalit.
Regjisori austriak Michael Glawogger foli për filmat e tij dhe për artin në përgjithësi. Filmi i tij “Whore’s Glory”, që u shfaq të enjten mbrëma, flet për prostitucionin në tri shtete, tri gjuhë dhe tri religjione. Glawogger tha që është shumë i kënaqur me organizmin e festivalit dhe me programin e tij.