Beograd: Marrja e datës për BE, varet nga epilogu i dialogut

Bashkimi Evropian nuk ka kushte të reja për Serbinë dhe vendimi mbi ndarjen e datës së fillimit të negociatave me BE do të varet nga epilogu i dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës, kanë rekomanduar sot në Beograd ambasadorët e BE, Gjermanisë deh Francës - Vensan Dezher, Hajnc Vilhelm dhe Fransoa-Gzavije Denio”.
Në prononcimet e ndara ata kanë rikujtuar se koha “është e kufizuar” dhe se Komisioni Evropian më 16 prill do t’ia paraqes raportin Këshillit të BE, raporton RTK.
Dezher konsideron se janë arritur hapa të rëndësishëm në takimin Daçiq-Thaçi në Bruksel, por ka cek se “Serbia e ka kohën e kufizuar për realizimin e marrëveshjeve të arritura, në qoftë se dëshiron që në qershor ta marrë datën. E dimë se Komisioni Evropian do ta prezantojë raportin më 16 prill, që do të jetë bazë për 27 shtete anëtare për të marrë vendimin, ndonjëherë duke marrë parasysh edhe mendimet e parlamenteve të tyre“, ka thënë shefi i delegacionit të BE në Beograd.
"Mendoj se janë shënuar hapa të rëndësishëm përfshirë edhe atë që kanë vendosur që serish të takohen së shpejti që, sipas mendimit tim, është shumë pozitive. Tani duhet të bindemi se gjërat po realizohen në mënyrë konkrete, dhe kjo është ajo që e presim dhe të cilën do ta përcjellim“, ka thënë Dezher.
Pyetjes nëse ka mjaft kohë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve delikate, përfshirë edhe situatën në veri të Kosovës, Dezher i është përgjigjur se në qoftë se ekziston vullneti i të dy palëve të përparohet në atë drejtim, atëherë do të arrihet marrëveshje përkatëse.
Ambasadori gjerman, Hajnc Vilhelm ka theksuar se nuk varet gjithçka nga Gjermania, dhe vendi i tij nuk po i shtron Serbisë kushte të reja mbi marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE. Ai ka rikujtuar se marrja e datës "varet nga epilogu i dialogut” ndërmjet Beogradit e Prishtinës dha ka shfaqur shpresën se bisedimet në Bruksel, nën përkujdesjen e shefes së diplomacisë evropiane Ketrin Eshton, ”do të japin fryte” deri më 16 prill.
Ambasador i Francës, Fransoa-Gzavije Denio, ka thënë se është i bindur se Serbia i është afruar marrjes së datës, pas raundin të fundit të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës në nivel politik, por ka përmendur se vendimi i Brukselit do të varet nga realizimi i marrëveshjeve të arritura. “Dialogu në nivelin politik deri më tash ka dhënë rezultate të mira”, ka thënë Denio.
Sipas mendimit të tij, takimi Daçiq-Thaçi të martën në Bruksel ka mundësuar bisedime esenciale mbi çështjet tejet të rëndësishme lidhur me institucionet serbe në Kosovë, ”me qëllime të fuqishme që pjesëmarrësit e takimit serish të bisedojnë në fillim të marsit për arritjen e përparimin rreth kësaj çështje ”. Ai ka vlerësuar se kjo është shumë pozitive, veçmas kur kihet parasysh se të dy palët po bisedojnë mbi çështjet për të cilat para disa muajve as që është folur. Gjithashtu, thotë ai, është me rëndësi që Qeveria e Serbisë po insiston në çështjet e ndërlidhura me jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.
Edhe ambasadori i Francës ka thënë se tani Serbia është afër marrjes së datës së negociatave me BE, por “duhet parë se cilat do të jenë rezultatet konkrete të dialogut, dhe nëse ato rezultate do të zbatohen në jetë”.