Të martën nis gjykimi i 6 serbëve për trazirat e marsit 2008 në Mitrovicë

Gjashtë serbë nga Mitrovica, të dyshuar për pjesëmarrje në trazirat e marsit të vitit 2008 në Mitrovicë, do të dalin para gjyqit të martën, më 26 shkurt. Ata akuzohen për 22 vepra penale.
Më herët EULEX-i kishte njoftuar për ngritje aktakuze kundër Marjan Ilinçiqit, Zoran Çaviqit, Dragan Millojeviqit, Miodrag Raliqit, Avni Krasniqit dhe Nebojsha Joviqit.
Të dyshuarit akuzohen për marrje ilegale të gjykatës në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, thirrje për rezistencë, pengim të personave zyrtarë, pjesëmarrje në turmën që kryen vepra penale, rrezikim të Kombeve të Bashkuara dhe të personave shoqërues.
Po ashtu ata ngarkohen edhe për shkatërrim të pronës së tundshme, përhapje të urrejtjes etnike, mosdurimit dhe përçarjes.
Paralajmërohet se gjykimi do të zgjasë 15 ditë – çdo javë nga tri ditë. Procesi gjyqësor pritet të përfundojë më 28 mars.
Gjyqtarët dhe prokurorët e çështjes janë nga misioni i EULEX-it.
Në incidentet që ndodhën në Mitrovicë me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës vdiq një polic i Ukrainës, u plagosën 64 policë të UNMIK-ut, 24 pjesëtarë të KFOR-it dhe rreth 100 demonstrues serbë./Indeksonline/