Beogradi emëron shefat e rinj në 12 komunat paralele
Serbia ka emëruar kryetarët e rinj dhe këshillat e përkohshme komunale, të cilët vijnë nga partia SNS e Tomislav Nikoliçit, për 12 komunat paralele serbe në Kosovë.
Pak para zgjedhjeve lokale të vjeshtës pritet që Hashim Thaçi tu siguroj serbëve karrige në komunat e Kosovës, të cilët do angazhohen në procesin e shpërbërjes së strukturave paralele.
Kryeministri Thaçi pritet tu hap derën edhe këtyre shefave serb, të cilët që nga 1999 luftuan kundër Kosovës, shkruajnë mediat.
Më 30 maj Qeveria e Beogradit shkarkoi 12 kryetarët e komunave paralele, të cilët nuk i përkisnin partisë SNS së Tomislav Nikolicit.
Ky vendim ka për qëllim eliminimin e atyre përfaqësuesve serb që nuk e mbështesin marrëveshjen e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, si edhe eliminimin e mbështetësve të idesë për formimin e së ashtuquajturës Kuvendi i Krahinës Autonome të Kosovës, që është paralajmëruar se serbët do ta shpallin më 6 qershor në veri të Kosovës.