E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi në invazion me struktura paralele

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi pritet t’i ankohen dhe t’i kërkojnë baroneshës Catherine Ashton që ta ndalë Beogradin në shtrirjen e institucioneve paralele në kuadër të pushtetit lokal.

Pavarësisht Marrëveshjes së arritur në Bruksel e cila mes tjerash parasheh pajtimin e Beogradit për shuarjen e strukturave paralele, qeveria e Serbisë, duke u mbështetur jo në Marrëveshjen e 19 prillit, por në Kushtetutën e saj, ka marrë vendim që të themelojë disa këshilla të përkohshëm të cilët do të shërbenin për transformimin dhe jo mbylljen e organeve paralele serbe në Kosovë, shkruan Tribuna. 

Formimi i këshillave të përkohshëm serbë, si masë e paralajmëruar nga Beogradi, për Qeverinë e Kosovës konsiderohet si veprim ilegal dhe shkelje e Marrëveshjes së 19 prillit. Vendimi për formimin e këshillave të tillë, sipas një njoftimi nga qeveria serbe, fillimisht është marrë për Prishtinën, Novobërdën dhe Pejën. Kurse, parashihet që njësoj të veprohet edhe për komunat në veri. /Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›