E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi terror në Preshevë; hiqet me dhunë lapidari i dëshmorëve. Reagon Tirana dhe Prishtina: Akt barbar kundër shqiptarëve

20-01-2013 / Gazeta 55

UPDATE- Berisha thirrje shqiptarëve të Preshevës: Ruani gjakftohtësinë, bashkimi i kombit shqiptar vendimtar për të ardhmen e tij


-- Thaçi: Serbia po ushtron politikën gjenocidiale të Millosheviçit


Preshevë -- Serbia bën realitet kërcënimet e vazhdueshme të pushtetarëve të saj, kundër popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës, për rrënimin e përmendores së dëshmorëve të UÇPMB-së, në qendër të qytetit. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, forca të shumta policore serbe, mësynë në Preshevë, me synim terrorizimin e popullsisë shqiptare dhe duke larguar prej aty lapidarin e të rënëve.


Mbi 300 forca policore dhe autoblindë ushtarakë, nuk kanë hasur në rezistencën e shqiptarëve etnikë, por liderët politikë të Preshevës, kanë paralajmëruar protesta masive, duke filluar nga dita e hënë ora 12:30.


Anëtarët e Ushtrisë çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit u rebeluan në vitin 2000, duke kërkuar bashkimin e zonës me Kosovën. Luftimet përfunduan në Maj të vitit 2001. Shqiptarët të cilët përbëjnë 70 për qind të popullsisë së Luginës së Preshevës i konsiderojnë heronj luftëtarët e UÇPMB-së ndërsa autoritetet serbe si terroristë.


Edhe pse ka dhe shumë lapidarë të tjerë të UÇPMB, ky ka tërhequr vëmendjen e qeverisë serbe pasi vendoset para bashkisë së qytetit. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç e kishte përshkruar si një provokim vendosjen e lapidarit dhe kishte përcaktuar 17 janarin si afatin e fundit për heqjen e tij. Bashkia e Preshevës me në krye Ragmi Mustafën, kishte propozuar që lapidari të vendosej në oborrin e një xhamie vendase, por propozimi nuk u pranua. G jatë debateve është kërkuar dhe ndërhyrja e qeverisë së Prishtinës dhe Tiranës për të ndërmjetësuar për çështjen. Tensionet në Preshevë mund të ndikojnë dhe në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.


Qeveria e Shqipërisë: Heqja e përmendores, dëshmi e albanofobisë së Beogradit


Kryeministri Berisha në Facebook: Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se; “Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!


Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitraloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barbar të Millosheviçit. Përmes një deklarate për shtyp, bëhet e ditur se qeveria e Shqipërisë e konsideron këtë akt një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Millosheviçit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit. “Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat  ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë. Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut”- thuhet në deklaratën për shtyp. Gjithashtu në këtë reagim, qeveria shqiptare u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij. Ndërkohë, kryeministri Berisha në rrjetin social “Facebook” i mëshoi faktit se “ky akt deshmon dhe një herë se bashkimi i kombit shqiptar eshte vendimtar per te ardhmen e tij por dhe per çlirimin e fqinjeve tane nga albanofobia dhe pasiguria qe ndiejne ata qe kane pushtuar trojet e shqiptareve dhe sherbehen me praktika rraciste dhe fobie ndaj tyre”. “Duke iu shprehur mbështetjen e plotë qytetarëve dhe udhëheqësve politike të Preshevës, sërish u bej thirrje të shmangin provokimet, të ruajnë gjakftohtësinë ndaj terrorit policesk të Beogradit dhe i garantoj se Shqipëria do bëjë gjithçka në të gjitha institucionet ndërkombëtare për t’i dhënë fund terrorit policor ndaj shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës. Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dinë se; “Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!”- thuhet në reagimin e kryeministrit Berisha në faqen e tij zyrtare në rrjetin social, Facebook.


Ministria e Jashtme: Komuniteti ndërkombëtar të reagojë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve

Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në Luginën e Preshevës. Lajmi për heqjen e monumentit të dëshmorëve nga xhandarmeria serbe, në mënyrë të njëanshme, dhe duke injoruar dialogun e nisur mes autoriteteve lokale dhe qendrore nën kujdesin e faktorit ndërkombëtar është një tjetër dëshmi e një politike diskriminuese dhe agresive e autoriteteve të Beogradit kundrejt pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut.
MPJ e dënon ashpër këtë akt dhe i bën thirrje faktorit ndërkombëtar, të reagojë menjëherë në mbrojtje të të drejtave të pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës. MPJ u bën dhe një herë thirrje autoriteteve lokale në Preshevë dhe popullsisë atje të përmbahen kundrejt këtyre provokimeve në vazhdimësi, duke i mbështetur plotësisht ata në kauzën e tyre, se askush nuk do të mund të mohojë a tjetërsojë luftën e drejtë për lirinë dhe të drejtat njerëzore që u bë ndaj regjimit antishqiptar serb.


Reagimi i qeverisë së Kosovës: Serbia po ushtron politikën gjenocidiale të Millosheviçit


Heqja me force e memorialit ka indinjuar Prishtinën zyrtare. “Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës genocidale të Milloshevicit”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.


Veprim i autoriteteve serbe, cilësohet si i shëmtuar dhe jocivilizues. Veprime të tilla, “nuk e ndryshojnë dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, përkundrazi, vetëm sa e forcojnë atë dhe na rikujtojnë se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar”, vazhdon reagimi i Qeverisë së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi të Serbisë.


Reagimet e politikës shqiptare të Tiranës


Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar pas publikimit të lajmit për heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, duke akuzuar ashpër autoritetet serbe. Në vlerësimin e ligjvënësit socialist, ky akt i Serbia as më shumë e as më pak vërteton se në Beograd qeverisin po ata që zhytën Ballkanin në gjakderdhjen. "Ky akt kërkon t’i rivrasë ata që u vranë nga regjimi i Milosheviçit. Vërteton se në Beograd qeverisin po ata që zhytën Ballkanin në gjakderdhjen e ndarjes së ish-Jugosllavisë. Hoqën një "copë gur" , por ringritën historinë që shkruajtën ata djem që dhanë jetën për popullin e tyre. Kush mund të vendosë një tufë me lule tek vendi i lapidarit të hequr do ti isha mirënjohës. Lavdi dëshmorëve të kombit! Ata ishin edhe dëshmorët e mi!", ka shkruar Majko në rrejtin social “Facebook”. Po kështu dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj dënojnë ashpër heqjen e memorialit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës. Sipas kësaj force politike, Me këtë veprim, Serbia tregoi dhe një herë që nuk ka hequr dorë nga “doktrina millosheviçiane”, e cila në themel të saj ka dhunimin e shqiptarëve. “Të friksuar nga reagimi i paralajmëruar i shqiptarëve të Luginës së Preshevës por edhe më gjerë, Beogradi dërgoi me qindra forca xhandarmërie, vetëm e vetëm për të hequr një memorial. PDIU dhe KPR i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të reagojnë dhe t’i kërkojnë llogari ambasadorit të Serbisë në Tiranë lidhur me këtë veprimi fyes ndaj atyre ushtarëve që dhanë jetën për liri. Është e detyrim kushtetues i Shqipërisë për t’u kujdesur për shqiptarët kudo që ndodhen. Edhe një herë PDIU dhe KPR i bëjnë thirrje Serbisë të shkëputet nga fantazma e Millosheviçit dhe të heqin dorë nga sulmet dhe provokimet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thuhej në deklaratën për shtyp të kësaj partie.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›