E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj: Nuk kishte transparencë nga takimi i djeshëm

Përfundimi i takimit të djeshëm mes kryeministrit Thaçi dhe atij Daçiq në Bruksel me pak të dhëna nga biseda e brendshme, konsiderohet mungesë e transparencës. Analisti politik Behlul Beçaj i tha Radio Kosovës se kjo është tregues i faktit se as në Serbi dhe as në Kosovë nuk është përgatitur ambienti social dhe politik për një situatë kur zyrtarët merren vesh për një çështje që nuk mund të pranohet dhe aq lehtë nga opinioni publik.

Deklarimet e pakta nga takimi i djeshëm në Bruksel nga ana e zyrtarëve pjesëmarrës në bisedime konsiderohet mungesë e transparencës. Behlul Beçaj, analist politik, thotë se nuk ka terren të përgatitur as në Kosovë e as në Serbi, kur zyrtarët merren vesh, prandaj mënyra më e mirë se si të evitohet rreziku i zbatimit të marrëveshjeve, është mungesa e transparencës. Ai thotë se çështja e marrëveshjes është kryer më herët dhe koha e arritjes së saj është vetëm një arsyetim medial.

“Sipas mendimit tim është treguar shumë më herët dhe kjo çështje pak a shumë është e kryer. Përndryshe, kompromisi do të nënkuptojë riorganizimin e strukturave ekzistuese të vjetra të pushtetarëve, të cilët edhe sot e luajnë rolin kryesor, por tani me bekimin e Beogradit dhe Prishtinës për një afat zgjedhor, të cilin do ta përcaktojnë në ndërkohë dhe faktikisht ne kemi vetëm disa ndryshime, të cilat për dallim nga koha në të cilën është qeverisur çështja e veriut nga serbet e veriut do ta ketë edhe bekimin e Prishtinës edhe mbështetjen e bashkësisë evropiane”, thotë Beçaj.

Analisti Beçaj nuk beson në zbatimin e marrëveshjeve në tërësi, përkundrazi, sipas tij, ato do të kenë shumë vështirësi të mëdha:

“Për faktin se ambienti në të cilin do të zbatohen këto marrëveshje nuk është i përgatitur për realizimin e tyre. Këto biseda më tepër kanë qenë çështje të arsyetimit dhe të interesave të pushtetit në Beograd dhe në Prishtinë me ndërmjetësimin e Ketrin Ashton, e cila asnjë sukses tjetër në politikën e jashtme nuk e ka dhe tërë fokusin e suksesit të saj aktualisht po e mbështet për gjoja për zgjidhjen e problemit të veriut ato definitivisht ndoshta do ta marrin një karakter të zgjidhjes normale, por faktikisht ajo do të jetë një vragë e cila kohë pas kohe do të shpërthejë me tërësinë e pasojave që do të reflektojnë jo vetëm në raport me Serbinë, por edhe në Evropë”.

Takimi i radhës mes Prishtinës dhe Beogradit u paralajmërua për 2 prill, ku pritet edhe një vendim për çështjen e veriut./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›