E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Arsimit kërkon “dekriminalizimin” e rokut

Kriminalizimi i rokut nëpërmjet një paragrafi të librit të Edukatës Qytetare për klasat e dhjeta - në të cilin roku cilësohet akt kriminal - ka irrituar adhuruesit e këtij zhanri muzikor. Disa të rinj kanë vendosur që mllefin e tyre ta zbrazin mbi Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë. Në xhamat e objektit të këtij institucioni, gjatë ditës së mërkurë, është shkruar porosia “We Will Rock You”. Por në orët e pasdites mbishkrimi - titull i hitit të njohur të grupit “Queen” - është fshirë. Por “protestat” që shpërthyen të martën kanë bërë që MAShT-i të merret konkretisht me këtë çështje. Paragrafi - sipas një sqarimi me shkrim që ka bërë kjo ministri të mërkurën - do të fshihet. E për ta bërë këtë ka urdhëruar edhe mësimdhënësit.

Në anën tjetër bashkautorja e librit të Edukatës Qytetare për klasat e dhjeta të shkollave të mesme, Erlehta Mato, pedagoge nga Shqipëria, nëpërmjet një sqarimi me email i ka thënë “Kohës Ditore” se bëhet fjalë për keqinterpretim të paragrafit. Mohon se bëhet fjalë për gabim teknik, siç është arsyetuar kolegu i saj Bajram Shatri.

Lajmi për “kriminalizimin e rokut” në tekstin mësimor të mërkurën ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Fillimisht në agjencinë prestigjioze të lajmeve AP, e më pas edhe në “The Independent”, “Huffingtonpost”, ka zënë vend lajmi “Shkollave të Kosovës u bëhet thirrje ta injorojnë njësinë mësimore ‘rocku është kriminal’”.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një sqarimi që e ka dërguar nëpër media gjatë ditës së mërkurë, ka publikuar vendimin për eliminimin e paragrafit të shumëpërfolur.

“Në rastin konkret MAShT-i obligon shtëpitë botuese përkatëse që gjatë ribotimit të tekstit shkollor Edukata Qytetare, klasa 10, të përmirësohet ky lëshim. Gjithashtu MAShT-i ka njoftuar të gjitha shkollat dhe mësimdhënësit që kjo përmbajtje dhe lëshim duhet të fshihen nga mësimdhënësit deri në ribotimin e tekstit shkollor”, është shkruar në sqarimin e dërguar nga Zyra për komunikim publik e MAShT-it.

Institucioni më i lartë arsimor në vend i ka kërkuar falje opinionit publik për lëshimin që është bërë.

“Në planprogramin e klasës së 10 dhe në përmbajtjen me objektivat dhe rezultatet e të zënit në këtë planprogram nuk figuron ky qëndrim jo i drejtë dhe anakronik për rrethanat e pluralizmit politik dhe kulturor. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka hartuar planet dhe programet për të gjitha lëndët mësimore për të gjitha klasat e arsimit parauniversitar. Të bazuara në këto planprograme duhet të hartohen tekstet shkollore që sipas Ligjit për Tekstet Shkollore këtë e bëjnë botuesit, kurse tekstet shkollore në drafte dorëzohen në MAShT, ku bëhet vlerësimi nga ekspertët e jashtëm”, ka vazhduar sqarimi.

Por ky vendim nuk u ka lënë përshtypje disa të rinjve kosovarë, të cilët kanë ndërmarrë aksionin e titulluar “We Will Rock You”.

“Të rinjtë shprehin mllefin sepse ky libër arsimor i Republikës së Kosovës është në përdorim prej vitit 2009 dhe për tre vjet janë mësuar gjeneratat e nxënësve se rocku na qenka i barabartë me prostitucionin dhe krimin. Për ironi, Ministria e Arsimit thotë se ne vend të fjalës ‘kriminale’ në libër është dashur të qëndronte fjala ‘komerciale’ duke mos përmendur fjalën ‘pornografike’ thuajse me këtë fjalë ‘ia kanë qëlluar’”, është shkruar në një e-mail të dërguar nga organizatorët e aksionit “We Will Rock”.

Sqarimi që ka dhënë autori i librit, Bajram Shatri, për paragrafin që cilëson rock muzikën si akt kriminal, ka qenë se në vend të fjalës “kriminale” është dashur të shkruhej “komerciale”. “Muzika rock, pornografia, dhuna në televizion - që janë akte jo të mira - janë provuar plotësisht si komerciale”. Kësisoj do të ishte paragrafi i shumëpërfolur i librit të Edukatës Qytetare, po të mos lëshohej gabimi, të cilin autori Bajram Shatri e quan teknik.

Por bashkautorja e tij, Erlehta Mato, nuk përmend se bëhet fjalë për gabim teknik.

“Më vjen keq për shqetësimin që është shkaktuar në Kosovë, por mendoj se më shumë se çështje botëkuptimi e autorëve është çështje lapsusi dhe keqinterpretimi i paragrafit i cili lë të hapur diskutimet mbi efektet e pornografisë që në shumë vende është e ndaluar me ligj dhe dhunës në TV që krijon modele monstruoze kur nuk kontrollohet ndjekja e kanaleve për fëmijët dhe adoleshentët”, ka thënë Mato, bashkautore e librit shkollor për klasa të dhjeta të shkollave të mesme. “Pohoj se supozimi si akte kriminale lidhet më shumë me dy çështjet e fundit, por gjithnjë edhe ky pohim në kuadrin e diskutimit të ekspertëve të ndryshëm të edukimit”, ka shtuar ajo.

Sipas Matos, muzika në vendet me sisteme arsimore të zhvilluara, për fëmijët shihet si një element edukativ mjaft pozitiv, sidomos sa i përket muzikës klasike. Por për rock muzikën, Mato thotë se ka diskutime.

“Por sa i përket muzikës rock në edukimin e fëmijëve, ka shumë diskutime ekspertësh. Në këtë debat unë po ju përcjell një koment nga një prej psikologëve më të njohur të edukimit, Bloom”, ka thënë Mato. “Natyrisht se Bloom nuk është i kënaqur me rezultatet, për shkak se ajo e cila rinisë së sotme ‘i përshtatet dhe me të cilën ndihet në harmoni në aspektin muzikor’ nuk janë më institucionet e kulturës së tyre apo diçka tjetër mbi të cilën mund të bazohet kultura. Ata dridhen me të rrahurat e një daulleje tjetër - zakonisht daulles së një bendi roku”, ka cituar Mato komentin e psikologut. Në fakt Mato citon Allan Bloom, i cili në qarqet shkencore konsiderohet si një studiues kontrovers për qasjen që ka ndaj muzikës. Bloom kur flet për muzikën bazohet në filozofinë idealiste të Platonit, i cili në “Shteti”, për rrethanat e para dy mijë vjetëve, shkruante se muzika e prish rininë e veçmas ata që do të bëheshin rojtarë të shtetit.

Por njësoj si bashkautori i saj, Bajram Shatri, edhe Mato ka kërkuar falje publike.

“Sidoqoftë kërkojmë falje për lapsusin e krijuar pa dashje në tekst dhe në rastin më të parë do të kërkojmë që këndvështrimi i mësipërm të pasqyrohet drejt”, ka thënë Mato.

Për juristin e rokerin Naser Gjinovi, arsyetimi gabim teknik nuk pi ujë.

“Nuk qëndron ky arsyetim. Nuk kemi të bëjmë me gabime teknike, ose punën e terminologjisë. Problemi është te qasja e gabuar dhe konceptet e gabuara”, ka thënë Gjinovci. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që të ngrihet padi ndaj autorëve.

“Ka mundësi të ngrihet padi. Por prapëseprapë me rëndësi është që kjo punë u bë e madhe dhe e pamë që kemi një strukturë urbane. Por libri duhet të rivlerësohet dhe të ripërpunohet”, ka shtuar ai.

Ndërkohë nëpër medie ndërkombëtare të mërkurën ka qarkulluar lajmi i AP-së. “Autoritetet kosovare po u thonë mësimdhënësve dhe studentëve të injorojnë një paragraf të njërit nga librat e shkollave të mesme, që muzikën rock e etiketon si kriminale. Libri shkollor i Edukatës Qytetare e cek që “muzika rock, pornografia, dhuna në televizione - të gjitha këto akte jo të mira - janë provuar si plotësisht kriminale’”, ka shkruar AP-ja. “Libri shkollor ka qenë në qarkullim për tetë vjetët e fundit, por ka shkaktuar debat kur lajmi për paragrafin e diskutueshëm u publikua në Televizionin Publik të Kosovës, javën e kaluar. Autoritetet kosovare thonë se paragrafi duhet të hiqet, edhe pse askush nuk mund të bëjë një përllogaritje se sa gjenerata të rinjsh mund të jenë larguar nga kitarat elektrike dhe flokët e gjatë”, vazhdon lajmi që kanë botuar mediat prestigjioze ndërkombëtare./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›