E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiri, shef i grupit të LDK-së

Kryesia e LDK’së ka propozuar të mërkurën që Shef i Grupit të saj parlamentar të jetë Ismet Beqiri, ish-Kryetar i Prishtinës.

Ky propozim do të shqyrtohet të enjten edhe në Grupin parlamentar të LDK’së.

“Kryesia e LDK’së në mbledhjen e sotme mori disa vendime të rëndësishme”, tha Nënkryetari i i Parë, Eqrem Kryeziu, pas mbledhjes.

Kryesia e LDK’së ka shpallur zgjedhjet në Forumin e Gruas dhe për këtë qëllim ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm, Ramë Manaj, Nënkryetaren Nekibe Kelmendi, anëtarët e Kryesisë Agim Veliu dhe Sanije Aliu që si grup referues për t’i menaxhuar dhe organizuar zgjedhjet në FG të LDK’së.

Në këtë mbledhje është debatuar edhe “Dokumenti Haziri”, një analizë kjo e kësaj partie për zgjedhjet e fundit komunale.

Dokumenti, i cili analizon zonat ku LDK’ja ka pasur ngritje apo rënie, ka edhe rekomandime që njerëzit të marrin përgjegjësinë për rezultate të dobëta zgjedhore në ato zona ku pak a shumë ka pasur rënie të LDK’së.

Nënkryetari Eqrem Kryeziu tha se bëhet fjalë për katër qytete të mëdha, ku ka pasur rënie apo stagnim që LDK’në e kanë lënë prapa: Mitrovica, Peja, Gjakova dhe Ferizaj.

Kryeziu paralajmëroi se me anë të ekipeve do të bëhen përpjekje që në ato zona të rivitalizohet LDK’ja. Ndonëse, siç tha, në përgjithësi në zgjedhjet e fundit lokale LDK’ja ka përparim, me 25 mijë vota më tepër sesa në zgjedhjet paraprake. Kryeziu tha se së shpejti do të mblidhet edhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së dhe se për këtë qëllim janë duke u bërë përgatitje të nevojshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›