Beqja: Situata ekonomike, alarmante. Mungojnë 400 milionë dollarë
Sekretari për programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja reagoi pas deklaratave të bëra nga kryeministri në detyrë, Sali Berisha për gjendjen e financave të vendit. Në reagimin e tij, Beqja shprehet se situata ekonomike në vend është alarmante, pasi deri në fund të vitit, sipas tij pritet që buxhetit ti mungojnë 400 milion dollarë nga mosrealizimet e arkëtimeve. Nuk është më lajm për askënd se gjendja e rëndë e financave publike dhe honi i thellë që po krijon keqadministrimi fiskal në Shqipëri, përbën një nga sfidat kryesore që do të adresohen nga qeveria e zgjedhur në 23 qershor. Situata është e vështirë. Në 5 muajt e parë të vitit nga tatimet dhe doganat janë arkëtuar 150 milionë dollarë më pak se programi i fillimvitit. Vetëm në muajin qershor mosrealizimi është shtuar edhe me rreth 50 milionë dollarë të tjerë. Me këto ritme, dhe duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të ekonomisë, ekspertët tanë parashikojnë që mosrealizimi të arrijë në 400 milionë dollarë deri në fund të vitit, tha Beqja. Në vijim, Ilir Beqja kërkoi nga Ministria e Financave që të bëjë transparencë për situatën ekonomike dhe të tregohet e përgjegjshme në këtë periudhë. Të bëjë publike sa më parë treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar për 6 muajt e parë të vitit; Të ushtrojë detyrat ligjore në administrimin e mbledhjes së detyrimeve tatimore dhe doganore; Të ndërpresë çdo lloj negociate në vijim për kontrata e projekte me financues të ndryshëm që rrisin borxhin e jashtëm të Shqipërisë. Të garantojë që në periudhën 12 30 korrik 2013, gjatë së cilës do të bëhet upgrade i sistemit automatik të thesarit, të garantohen pagesat e ndihmës ekonomike, pagesat e përfitimeve të personave me aftësi të kufizuar, pagesat e pensioneve dhe pagesat e rrogave, përfundoi Beqja.