E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, festivali "Një mbi një tinguj"

Qyteti i Beratit, do te ngryset kete fundjave me tingujt e festivalit te parë muzikor «NJE MBI NJE TINGUJ». 40 muzikantë francezë do të sjellin për publikun vendas muzikë klasike, kontemporane dhe shqiptare.Protagonistët e “NJE MBI NJE TINGUJ“ janë kuarteti francez i klarinetave «APPASSIONATI» dhe Ansambli Orkestral Marcillac. I ftuar për të bërë performancën e tij në këtë festival është dhe klarinetisti kosovar Blerim Emerllahu.

Natën e parë të festivalit kuarteti «APPASSIONATI» do të interpretojë pjesë nga Mozart, Brahms, Piazzolla, Albinoni. Ndërsa natën e dytë performanca i takon Ansamblit Orkestral Francez, i cili përvec se do të interpretojë pjesë nga Puchedu, Morricone, Ray Charles, e muzikës klezmer do të sjellë për publikun edhe muzike shqiptare. Të dyja netët e festivalit do të mbahen në Pallatin e Kulturës, ndërsa drejtori artistik i këtij aktiviteti është Genti Dollani, një muzikant i ri shqiptar, që performon me sukses në skenat franceze. Kuarteti i klarinetave “APPASSIONATI“ është krijuar në shtator të vitit 2000 si rezultat i dëshirës, vullnetit dhe pasionit të katër muzikantëve. Që nga krijimi i tij, formacioni profesional ka dhënë mjaft koncerte në skena të ndryshme franceze dhe është mirëpritur jo vetëm nga publiku, por edhe nga media e cila ka komentuar vazhdimisht dhe pozitivisht performancat e tyre.

Kuarteti përbëhet nga Genti Dollani, Matthieu Luçon, Aurélien Cesscousse dhe Gilles Vernet. Performanca në festivalin “NJE MBI NJE TINGUJ“ shënon për këtë kuartet koncertin e parë në Shqipëri. Ky festival, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është mbështetur fuqimisht nga institucionet franceze si : Mairie de Marcillac, Communauté de Communes de L’Estuaire, Leclerc dhe Terroirs de Tutiac. Nga pala shqiptare festivali “NJE MBI NJE TINGUJ“ ka gjetur përkrahjen e Bashkisë së Beratit.

Mira Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›