E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, goditet trafiku i drogës, 28 vjeçarit i sekuestrohen 90 kg mariuanë

Prokurori pret 6 fletë- arreste për trafikantët nën hetim
Drejtoria e Policisë së Beratit ka zbuluar një rrjet trafikantësh droge të cilët vepronin në tre qytetet e këtij qarku, Kuçovë, Fier dhe Vlorë. Burimet zyrtare të policisë thanë për gazetën SOT se grupi prej 6 trafikantësh survejohej prej më shumë së tre muaj deri në mesditën e djeshme, kur është organizuar dhe aksioni goditës, gjatë të cilit është bërë i mundur ndalimi i një personi dhe sekuestrimi i një sasie prej 90 kg kanabis sative. Të njëjtat burime pohuan se sapo agjentet e antitrafikut të drogës kanë rënë në gjurmët sasisë së konsiderueshme të drogës e cila ndodhej një makinë landrover me targa FR. 09 71 D, janë vënë në ndjekje të saj nga shtëpia prej së cilës ka dalë automjeti.
Aksioni policisë
Sapo makina e ngarkuar me 9 thasë droge, e cila shkonte në 90 kg, ka dalë nga porta e shtëpisë ku dhe suverjohej nga policë civilë, pas saj është nisur grupi i agjentëve, të cilit duket se kishin lënë një vend tjetër për të përfunduar aksionin. Por makina që udhëtonte drejt Fierit në Urën Vajgurore ka pikasur se e ndiqte një makinë pa targa. Në këtë moment drejtuesi i mjetit e ka kuptuar se po e ndiqte policia dhe ka shtuar gazin e makinës. Të njëjtën gjë ka bëre dhe makina e policisë, e cila në një moment në qendër të këtij qyteti e ka parakaluar dhe i ka dhënë shenjë për ndalim. Ky ka qenë dhe momenti deçiziv për drejtuesin e mjetit, i cili nga hutimi dhe nga frika ka goditur makinën me policë. Kjo e fundit ka devijuar drejtim dhe ka përfunduar në trotuarin e rrugës. Sapo agjentët e policisë kanë dalë për të ndaluar makinën me drogë, kjo e fundit ka ndryshuar drejtim duke udhëtuar për në qytetin e Beratit. Në këtë moment të dyja makinat edhe ajo e policisë si dhe ajo e drogës janë vënë në garë, ndërsa policia ka organizuar dhjetëra forca të tjera, si ato të trafikut rrugor, grupin e gatshëm etj., për të bërë të mundur ndalimin e makinës dhe arrestimin e autorëve të drogës. Nga shpejtësia, në segmentin rrugor Ura e Moravës makina e trafikantëve ka dalë nga kontrolli dhe ka rënë në kanal. Më pas është dashur ndihma e policisë që ta nxjerrë trafikantin nga makina dhe ta transportojë atë në spital, për shkak të plagëve që ka marrë. Burime nga reparti i urgjencës konfirmuan se pacienti i shoqëruar nga policia ka mbëritur aty rreth orës 16:00 dhe pasi ka marrë mjekimin e nevojshëm është shoqëruar sërish nga policia, në dalje nga ky repart.
Ndërkaq, ekspertët e sektorit të antidrogës thanë se grupi i trafikantëve të vënë nën survejim përbëhet nga më shumë se 6 persona, por që identiteti i tyre nuk bëhet i ditur për arsye hetimore dhe se ende trafikantët janë jashtë prangave të policisë. Gjatë ditës së djeshme, ekspertët e policisë kanë marrë nën arrest 26- vjeçarin fierak, Elvis Aliaj, i akuzuar për transport dhe posedim të sasisë të konsiderueshme të drogës, të llojit kanabis sativa. Ndërsa prokurori i rrethit, Xhemal Saliaj ka prerë 6 fletë-arrestet me vijën e kuqe dhe i ka vënë në dispozicion të policisë për tu ndaluar në çdo moment.
Baza e trafikantëve  
Pas arrestimit të poseduesit të drogës, policia në bashkëpunim me krerët e komisariatit të Kuçovës, Mehmet Rrapaj kanë kontrolluar banesën e Ndriçim Kaçit, banor i lagjes 11 Janari në Kuçovë, ku dhe dyshohej se ishte bazë e trafikantëve, e survejuar për më shumë se tre muaj. Sipas burimeve policore, gjatë kontrollit në banesë u gjenden dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 230 rrënjë kanabis sativa të thata, e cila ishte e fshehur në një nga dhomat e pasme të banesës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›