E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, shiten 8,3 tonë plastikë dhe 80 tonë karton e letër në ankandin e parë të riciklimit

TIRANË, 14 janar /ATSh/  Bashkia Berat vijon të promovojë menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve përmes projektit të riciklimit, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Projekti synon të rrisë ndarjen e mbetjeve në burim, të mbështesë ekonominë qarkulluese dhe të ulet sasia e mbetjeve të depozituara në landfill, duke përfshirë qytetarët dhe bizneset në procesin e riciklimit dhe duke krijuar mundësi të reja për tregun lokal të materialeve të ricikluara.

Në kuadër të këtij projekti, u zhvillua me sukses ankandi i parë i shitjes së plastikës, ku u shiten 8,3 tonë mbetje plastike të ndara nga qytetarët dhe bizneset. Po ashtu, gjatë ankandit u shiten rreth 80 tonë karton dhe letër, duke dëshmuar funksionimin e procesit të ndarjes së mbetjeve dhe aktivitetin e ekonomisë qarkulluese.

Kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Ceca, u shpreh se, rezultatet e këtij ankandi tregojnë se ndarja e mbetjeve në burim po funksionon; uljen e sasisë së mbetjeve në landfill dhe mbështetjen e ekonomisë qarkulluese dhe ndërgjegjësimin për riciklimin.

Sipas tij, bashkia synon që procesi të vazhdojë dhe të zgjerohet për të përfshirë më shumë qytetarë dhe biznese, duke forcuar mbrojtjen e mjedisit dhe promovuar praktika të qëndrueshme në menaxhimin e mbetjeve. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›