Berat, vetëvritet me thikë në zemër vëllai i Dritan Zhukës
Ilir Zhuka ka goditur veten me thikë. Prej kohësh kishte hyrë në një sekt fetar. Gjurmët e gishtave vërtetojnë vetëvrasjen
BERAT-Mesnatën e së mërkurës, duke u gdhirë dita e djeshme, policia e Beratit ka gjetur trupin e pajetë me një thikë në zemër të Ilir Zhukës. Sipas burimeve policore, fillimisht u mendua për një vrasje, por ekspertiza dëshmoi se ai ishte vetëvrarë duke përdorur thikën e bukës, pasi kishte zbërthyer më parë xhupin dhe kishte mënjanuar pulovrën. Mësohet se 27-vjeçari, vëllai i Dritan Zhukës (Shuaipi), i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-shefit të krimeve në Komisariatin e Policisë Berat, Ilir Ngresi, ishte prej një viti frekuentues i sektit Dëshmitarët e Jehovait. Madje, sipas atyre që e njihnin, ai prej disa muajsh ishte vetëshndërruar në një yshtar, me pretendimin se ishte i aftë për të shëruar sëmundjet me origjinë psikologjike e spirituale.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur pak metra larg shtëpisë ku ai banonte me të ëmën, në një rrugicë të lagjes "Kala", rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm. Ka qenë një taksist që në momentin që kalonte aty, për të marrë pasagjerë, që duhet t'i shoqëronte në Greqi ka parë të riun të mbytur në gjak që sipas tij ende përpëlitej. Policisë i janë dashur vetëm 10 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes, por sipas saj 27-vjeçari nuk kishte më shenja jete. Sipas burimeve policore, ai kishtezbërthyer zinxhirin e xhupit të tij me ngjyrë të zezë dhe më pas pulovrën gri. "Ka drejtuar me forcë në drejtim të zemrës thikën e bukës që e përdornin në shtëpi dhe nën thirrje e britma e ka shtrënguar thikën me forcë, me dorën tjetër, në drejtim të zemrës",- thonë burimet zyrtare që bënë këqyrjen e kufomës.
Policia
Fillimisht u mendua për një vrasje dhe nisi puna në këtë drejtim, por pas ekspertizës u provua se i riu ishte vetëvrarë. Ende nuk dihen motivet që e kanë shtyrë Zhukën t'i japë fund jetës. Sipas policisë, pas dëshmive të mbledhura mësohet se ai e kishte organizuar gjithë aktin kriminal ndaj vetes. Kjo sepse më parë ishte larë dhe veshur me teshat që i vishte për raste dhe jo përditë. Madje, 24 orë më parë se t'i jepte fund jetës kishte darkuar me shoqërinë e besimit që frekuentonte prej një viti. Pas dërgimit të kufomës në morg për kryerjen e procedurave të nevojshme, sipas policisë janë marrë nën hetim të gjithë të afërmit dhe ata që e njihnin viktimën. Po dje ekspertët e policisë kanë arritur në konkluzionin se viktima ka vrarë vetën. Përfundim që ata e argumentojnë me zbërthimin më parë të teshave të mbërthyera dhe pastaj ka ngulur thikën në zemër. "Viktima nuk ka pasur asnjë shenjë dhune në trup",- thonë burimet policore, duke shtuar se gjithsesi do të hetohet në pista të tjera për gjetjen e arsyeve që e kanë shtyrë të riun t'i jepte fund jetës. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes policia dhe ekspertët e saj dhe mjeku ligjor kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe thikën të cilën ka përdorur viktima.
Vëllai i Shuaipit
Ilir Zhuka është vëllai i Dritan Zhuka, i njohur në Berat me pseudonimin "Shuaipi", i cili ka qenë pjesëtar i bandave kriminale të lagjes "Murat Çelepias" në vitet 92-97. Ai ka qenë njëkohësisht i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-shefit të krimeve në Komisariatin e Policisë Berat,Ilir Ngresi, i cili është ekzekutuar në një nga bar-kafenetë e qytetit të Vlorës, 50 metër larg shtëpisë ku banonte, në 21 dhjetor, të vitit 2001. Dritan Zhuka (Shuaipi), i njohur si një nga eksponentët kryesorë të bandave kriminale në Berat, i dyshuar për disa vrasje të bujshme është ekzekutuar nga policia, në lagjen "Murat Çelepias", pas rrethimit të bërë nga blutë e Beratit dhe forcat Renea të ardhura nga Tirana. Për vrasjen e Dritan Zhukës (Shuaipit) aktualisht është në proces gjyqësor, si i dyshuar në implikimin e kësaj vrasjeje ish-drejtori i Policisë së Qarkut Berat në ato vite, Ilirjan Dida. Procesi gjyqësor që ende vazhdon në Gjykatën e Shkallës së Parë Berat.