Bëri thirrje për shembjen e xhamive, kryeministri suedez dënon thirrjet e partisë së ekstremit të djathtë

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, dënoi komentet e liderit të partisë së ekstremit të djathtë të Suedisë, Jimmie Akesson, i cili bëri thirrje për shembjen e disa xhamive.
Kristersson, koalicioni qeveritar i të cilit nuk përfshin partinë e demokratëve, por varet nga mbështetja e tyre, e kritikoi Akessonin për mungesë respekti.
“Mendoj se kjo është një mënyrë e të shprehurit pa respekt, një mënyrë polarizuese e të shprehurit”, tha Kristersson për transmetuesin SVT.
“Kjo nuk është ajo që Suedia përfaqëson në botë”, shtoi ai. Fjalimi i Akessonit shkaktoi zemërim në Suedi dhe jashtë saj, si dhe e detyroi Kristerssonin ta bëjë një deklaratë në rrjetin social X, ku e përsëriti “të drejtën kushtetuese për lirinë fetare” në Suedi.
“Në Suedi, ne nuk i shkatërrojmë vendet e lutjeve. Si shoqëri, ne duhet ta luftojmë ekstremizmin e dhunshëm pavarësisht arsyeve të tij por ne do ta bëjmë këtë brenda kornizës ligjore dhe demokratike”, shkroi ai.
Në Suedi, anëtarësimi i së cilës në NATO duhet të ratifikohet nga Hungaria dhe vendi me shumicë myslimane, Turqia, kanë ndodhur disa incidente, si djegia e Kuranit, që shkaktoi tensione me vendet e Lindjes së Mesme këtë vit.
Gazetar A.Mata
/RTSH/