E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Stonestreet, transparencë gjatë zgjedhjeve

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kreun e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR zotin Jonathan Stonestreet dhe delegacionin që e shoqëronte.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen zotit Stonestreet, Kryeministri Berisha e falënderoi atë për kontributin që ai dhe delegacioni i OSBE/ODIHR-it dhanë në vëzhgimin me profesionalizëm të lartë të zgjedhjeve vendore të 8 majit në Shqipëri.

Zoti Stonestreet e falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ai dhe misioni i tij patën me qeverinë shqiptare dhe gjithë institucionet e saj, si dhe për transparencën e plotë që Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij i ofruan, duke u krijuar të gjitha kushtet për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me sukses të plotë misionin e tyre.

Në takim u vlerësua ecuria e qetë dhe pa asnjë incident e procesit zgjedhor gjatë ditës së zgjedhjeve, saktesia dhe transparenca e procesit te numerimit, gjatë të cilit vëzhguesit shqiptar dhe ata ndërkombëtar patën akses të plotë për të vëzhguar numërimin e votave të qytetarëve shqiptarë si dhe u vlerësuan një sërë aspektesh pozitive të cilësuara si arritje në këto zgjedhje, në dallim me zgjedhjet e mëparshme dhe që janë përfshirë edhe në Raportin e Ndërmjetëm të ODIHR.

Kreu i Misionit të Vëzhguesëve të ODIHR Stonestreet theksoi se në aspektin e përdorimit të burimeve të adminstratës publike u pa një përmirësim i qartë në krahasim me zgjedhjet e shkuara.

Kreu i Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR zoti Jonathan Stonestreet vlerësoi dhe sjelljen tërësisht profesionale dhe të paanshme të policisë së shtetit gjatë gjithë procesit.

Në takim të dy palët theksuan gjithashtu rëndësinë e fillimit sa më shpejtë të reformës zgjedhore si dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të mëparshme si dhe atyre që do të dalin nga raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, për konsolidimin e një procesi zgjedhor sa më efikas dhe garantues për zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve evropiane.

Zoti Stonestreet theksoi se Misioni i OSBE/ODIHR do të ndjekë të gjitha fazat e procesit zgjedhor deri në përmbylljen e plotë të tij.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›