Berisha- mësuesve: Jeni të lirë të propagandoni. Rama kërcënoi në telefon një drejtoreshë (reagon Rama)
(E PERDITESUAR)- Kryeministri Sali Berisha, nga Peshkopia, ku inauguroi rikonstruksionin e gjimnazit Said Najdeni, sulmoi kryetarin e opozitës, Edi Rama, duke thënë se ai po kërcënon dhe ofendon mësuesit.
Berisha iu referua një deklarate të Ramës se do të çlirojnë mësuesit nga presioni i pushtetit, që i detyron ata të dalin në fushatë dhe të japin votën në këmbim të vendit të punës.
Alternativa tjetër është e provuar, zotëria i quan nxënësit dele dhe mësuesit më të padijshëm se 100 vite më parë. Iu thoshte qytetarëve të Tiranës nuk ndërtova shkolla se nuk kisha para, 21 milionë euro kredi të garantuar ka pasur nga qeveria për shkolla. Me gjysmën e këtyre parave, bashkia Kamëz ka ndërtuar 13 shkolla, ndërsa ajo e Tiranës 7, sepse shkollat kërkonin troje, por trojet i merrnin pallatet e miqve të klientelës.
Të heqë dorë nga ofendimet kolektive. Ditën tjetër u thotë mësuesve do shihni hekurat. Dje i shkatërruar nervash ka marrë në telefon një drejtoreshë shkolle dhe e ka kërcënuar, tha Berisha.
I kërkoj zotërisë të heqë dorë nga ofendimet kolektive pasi ato nuk i bëjnë nder një njeriu të qytetëruar. Një ditë i shpall të padijshëm, dje i shkatërruar nervash ka marrë në tel drejtoreshën e njërës prej gjimnazeve më të mëdha në kryeqytet me kërcënimet më absurde se përse ti i thua këtë edhe atë nxënësve. Unë u them arsimtarëve që jeni të lirë të mbështesni partinë që ju besoni. Ju nuk jeni qenie laboratorike. Ndaj dhe i kërkoj Ramës që t`i kërkojë zonjës të falur, të heqë dorë nga kërcënime të tilla. Disfata e radhës e pret, por ti je mësuar me disfatat. Respekto mësuesin dhe arsimin. E vërtetë është që arsimi që ka të meta, por ato zgjidhen më përkushtim, përpjekje dhe motivim, shtoi Berisha.
Pas deklaratave të Berishës, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Socialiste, duke u bërë thirrje mësuesve dhe nxënësve të denoncojnë presionet e bëra nga Berisha.
Sali! Mos merr në qafë drejtorë shkolle duke u kërkuar të rreshtojnë pas teje mësuesit e nxënësit. Është e paligjshme. Do ndëshkohet!
Mësues e nxënës! Denonconi tek PS presionet e drejtoreve për t’ju futur me zor në rreshtin e Saliut. çdo denoncim do ndiqet pas 23 qershorit, shkruan Rama në Twitter./ep