Partitë shqiptare injorojnë thirrjet për transparencë të financimeve
Open Data Albania, një organizatë me qendër në Tiranë, thotë se partitë politike nuk po bëjnë publike listat e donatorëve të fushatës përpara zgjedhjeve të 23 qershorit
Nga Besar Likmeta, BIRN
Kodi elektoral thotë se lista e donatorëve mbi 100 mijë lekë duhet të jetë gjithmonë publike, që do të thotë se partitë duhet ta publikojnë atë… mundësisht online, thotë Aranita Brahaj, koordinatore e projektit Open Data Albania.
Brahaj nënvizon se edhe kërkesat për informacion, depozituar pranë partive kryesore politike në përputhje me të drejtën e informimit, nuk kanë dhënë rezultat, edhe pse partitë janë të detyruara që të publikojnë listën e kompanive, organizatave dhe individëve që i financojnë ato përpara ditës së votimit.
Sipas ligjit, donatorët duhet të filtrohen në mënyrë që të shmanget ndonjë konflikt i mundshëm interesi, thotë Brahaj.
Ata janë fytyrat e fshehta të partive politike dhe votuesit kanë të drejtën të informohen se kush i financon subjektet, për të cilat votojnë, shton ajo.
Shqipëria ka një histori të gjatë zgjedhjesh që nuk plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe përfundojnë në përplasje politike. Zgjedhjet e 23 qershorit shihen si një test kyç për shpresat e goditura tashmë për anëtarësim në BE.
Një studim nga Open Data Albania i raporteve financiare të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve zbulon se në zgjedhjet vendore të vitit 2011, partitë nuk e zbatuan kodin elektoral sa u përket financave të tyre.
E gjithë fushata kushtoi në total 2.5 milion euro, ndërkohë që demokratët në pushtet ishin ata që shpenzuan më shumë, të pasuar nga Partia Socialiste në opozitë.
Në zgjedhjet e shkuara, partitë politike morën donacione më të mëdha se 100 mijë lekë në cash dhe jo përmes llogarive të tyre bankare, siç kërkohet nga ligji, thekson Brahaj.