Berisha: 10 marsi afati i kandidatëve, në zgjedhje me koalicion të gjerë
TIRANË- Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave të PD-së për zgjedhjet vendore do të përfundojë në datën 10 mars, edhe pse Kryeministri Sali Berisha deklaroi pak ditë më parë se kjo fazë do të mbyllej në fund të muajit shkurt. Në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha njoftoi gjithashtu se PD-ja do të shkojë në zgjedhjet e 8 majit me koalicionin më të gjerë të mundshëm. “Unë kërkoj nga ju dhe të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, të dëshmojnë vullnet të plotë, gatishmëri të plotë, për koalicionet më të gjëra dhe më të mira të mundshme në komunitetin e tyre. Sot është jashtëzakonisht e rëndësishme, që ne t’u ofrojmë qytetarëve vlerat më të mira të komuniteteve të tyre dhe t’u garantoj se, ato kanë një shpërndarje, në të cilën sigurisht që PD-ja ka përqindjen e vet më të madhe, por jo gjithçka. Ndaj dhe është e domosdoshme, që të ketë një përfaqësim sa më të mirë të koalicionit. Është e domosdoshme që të ketë një përfaqësim sa më të mirë të të gjitha minorancave, të çfarëdolloj natyre që ato do të jenë. Qeverisjet vendore duhet të kenë zërin e tyre të përfaqësimit, minorancat e çdo natyre që janë”, - tha Berisha. Ai theksoi në të njëjtën kohë se, dhjetëditëshi i parë i marsit duhet të jetë edhe afati i finalizimit përfundimtar i kandidaturave. “Çështja më kryesore që kemi para janë zgjedhjet lokale. Ne duhet të bëjmë gjithçka, që të paraqesim para shqiptarëve kandidatët më të mirë, burra dhe gra, djem dhe vajza me reputacionin më të mirë në komunitetin ku jetojnë dhe aftësitë drejtuese më të mira. Këto zgjedhje kanë një rëndësi shumë të madhe, për qeverisjen e vendit sepse qeveritë vendore janë qeveritë direkte të qytetarëve, por këto zgjedhje gjithashtu janë përgjigja më e mirë, më demokratike, më kushtetuese, që mund t’u jepet të gjithë atyre që duke mos marrë rezultatin që dëshirojnë, bënë çdo gjë për të shkelmuar mbi votën e shqiptarëve. Duke mos hezituar për të ndërmarrë dhe aventurën më të madhe, por dhe më të dështuar ndonjëherë në historinë e vendit”, - tha Berisha. Kryeministri theksoi se në këto zgjedhje, një rol të madh duhet të kenë edhe përfaqësueset femra. “Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje, për të rritur përfaqësimin në gra në qeverinë vendore, si në këshillat, parlamentet vendore, prandaj dhe unë ftoj strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, të shqyrtojnë me sensin e plotë të përgjegjësisë dhe sensin e plotë të barazisë, mbështetjen e kandidaturave, të zonjave dhe zonjushave, në përputhje me meritën, por nuk duhet që në asnjë rast, në asnjë rrethanë që ata të s’postohen, për shkak të patriarkisë dhe të qëndrimit të bazuar në patriarkinë, një mur i vërtetë ky, që pengon emancipimin e plotë të një shoqërie të lirë”, shtoi Berisha