PD: Ina Rama po shkatërron provat e dhunës së 21 janarit
TIRANË- Partia Demokratike mban një qëndrim konstant ndaj Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama dhe Kryetarit të opozitës, Edi Rama. Deputetja e PD-së, Mesila Doda, theksoi dje se “shoqja e bulevardit" po nxjerr çdo ditë dokumente të hetimit lidhur me 21 janarin. “Shoqja e bulevardit, që ka mbyllur 41 dosje të Edvin Ramës, për afera korruptive, që shkojnë qindra-miliona euro, me botimin që bën çdo ditë të dokumenteve të grushtit të shtetit të dështuar të 21 janarit, mendon se do të mbyllë edhe këtë krim të bllokmenëve të rinj, vetëm e vetëm se ajo dhe "shoku i bulevardit" kishin vendosur mbi të mandatet e tyre të dyta. "Shoqja e bulevardit" nuk heton organizatorët e grushtit të shtetit të dështuar, sepse bijtë e Ben Alive, Gedafeve e Mubarakeve, që përmbysëm 20 vjet më parë, janë jo vetëm organizatoret e këtij grushti shteti të dështuar, por dhe autorë të organizimit të dhunës dhe vrasjes së viktimave, që i përdorën si mish për top për karrigen e tyre”, - tha dje Doda. Ajo shtoi se, Prokurorja e Përgjithshme për të mbrojtur kryetarin e opozitës po shkatërron çdo provë të 21 janarit. “Ina Rama, për të mbrojtur Edvin Kristaq Ramën, organizatorin dhe kreun e grushtit të dështuar të shtetit, monumentin e korrupsionit në vend, në bashkëpunim me “shokun tjetër të bulevardit”, në ëndërrimet e pamundura për mandatin e tyre të dytë, po shkatërrojnë çdo provë të dhunës ekstreme të 21 janarit. Për këtë, shokët e bulevardit do marrin përgjigje”, tha Doda.