E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 100 prokurorë mund të hetojnë çdo skutë të zgjedhjeve

Deklarata Kryeministri përsërit propozimin për socialistët: është zgjidhja totale e procesit

Pas dështimit të gjetjes së kompromisit në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës javën e shkuar, Kryeministri Sali Berisha përsëriti dje nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve ofertën e mazhorancës për t’i ofruar opozitës 100 prokurorë, të cilët mund të hetojnë zgjedhjet sipas kërkesave të saj. Pas vizitës në kryegjyshatë dhe urimit të besimtarëve bektashinj për festën e Sulltan Novruzit, Kryeministri iu përgjigj edhe interesimit të medias në lidhje me atë se cilat do të jenë hapat e mazhorancës për të zgjidhur edhe situatën politike në vend. Sipas Berishës, oferta e fundit që mazhoranca mund t’i jepte opozitës për zgjidhjen e kësaj krize, ishte edhe ngritja e një grupi me prokurorë, i cili do t’i bashkëngjitej komisionit parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, në mënyrë që investigimi i opozitës të ishte i plotë. Oferta sipas tij, përmban edhe të drejtën e prokurorëve për t’u paguar nga ana e buxhetit të shtetit, për transparencën e plotë të procesit të kaluar zgjedhor. “Por në qoftë se transparencës i themi transparencë, propozimi im për angazhimin e 100 prokurorëve me mandat të plotë për transparencë në çdo qelizë, skutë, proces, fletë votimi të procesit zgjedhor, angazhimi i një buxheti të mjaftueshëm për të përmbushur plotësisht këtë detyrë mendoj se është zgjidhja totale e problemit në rast se kërkohet transparenca”, deklaroi Berisha, duke shtuar se vetëm prokurorët e kishin të drejtë të kontrollonin fletët e votimit. Por, sipas tij, në rast se opozita nuk e pranonte këtë ofertë, atëherë kjo do të thoshte se përfaqësuesit e saj nuk ishin të interesuar realisht për transparencën e procesit të kaluar zgjedhor. “Refuzimi i tyre dëshmon se ka vetëm zero fakte. Ka zero fakte, sepse prokurori funksionon mbi bazën e fakteve konkrete”, shtoi Berisha në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, opozita duhet të ishte e kënaqur me këtë ofertë nisur edhe nga fakti se prokurorët e përfundojnë shumë më shpejt procesin e hetimit, nisur edhe nga fakti se numri i tyre do të garantohet që do të jetë i madh. “Imagjino nëse zoti Rama ka 100 fakte dhe 100 prokurorë fillojnë njëherazi hetimin e tyre. Pra, me një shpejtësi shumë më të madhe nga ç’do mund ta bënin 15 anëtarë komisioni dhe me një kompetencë e profesionalizëm shumë më të madh”, saktësoi Kryeministri. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të arrihej që hetimi i plotë i procesit të ishte në përputhje me ligjet dhe me Kushtetutën e vendit. “Ky hetim është në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit që përcakton ndarjen e pushteteve, si një nga 2-3 shtyllat themelore të sistemit demokratik; në respekt të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat nuk i lejojnë politikanët që të marrin në dorë kompetenca të pushtetit gjyqësor”, deklaroi Kryeministri. Sipas tij, oferta që u shpreh që në punimet e seancës parlamentare, është më e ndershme dhe më transparentja që mazhoranca mund t’i ofrojë opozitës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›