Berisha: 11 maji është fundi i narkokracisë, gati paketa e dhembshurisë

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij sot në Kuvend e cilësoi parlamentin si “parlamenti më i zi pas diktaturës komuniste në Shqipëri”.
Duke hedhur akuza në drejtim të mazhorancës socialiste, Berisha tha se “ju për herë të parë në historinë 34-vjeçare votuat me dhjetëra ligje dhe vendime, në të cilat varfëruat gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë”.
“Votuat ligje dhe vendime me anë të të cilave, shumëfishuat rrogat tuaja dhe rrogat e larta të zyrtarëve, dhe kur erdhi puna tek pensionet, ju latë një shumë qesharake, 16 milionë për 800 mijë pensionistë”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha shtoi më tej “pra në rrafshin human, njerëzor ju me vendimet dhe ligjet tuaja, buxhetin që bëtë, thelluat në mënyrë të tmerrshme hendekun mes të pasurve dhe të varfërve në këtë vend”.
“Ju sot nuk duhet të kishit ardhur fare në parlament. Ju po të kishit minimumin e ndërgjegjes shoqërore, në mbledhjen e grupit të kishit vendosur, të mos dalim më para shqiptarëve. Absolutisht, ky do të ishte vendimi më i drejtë që mund të merrni”, tha Berisha.
Berisha u shpreh më tej: “Këshillën e fundit kam, mos kandidoni, mos u paraqisni para shqiptarëve, se jeni fantazma, lugetër të një regjimi unik në Europë, të një regjimi që me një gjenocid të butë po shfaros shqiptarët”.
Berisha shtoi se “11 maji është fundi i narkokracisë dhe paketa e dhembshurisë, e shpëtimit të çdo shqiptari nga varfëria ekstreme do të jetë javën e parë e gatshme për t’u votuar”.
“Unë edhe një herë zotohem para shqiptarëve se, ‘Shqipëria Madhështore’, Shqipëria e ëndrrës së djemve dhe vajzave të tyre, do të jetë realiteti i 4 viteve që vijnë. Se brenda 3 muajve do të përmbyset shpërndarja e buxhetit, do të vendoset minimumi jetik 200 euro, rroga minimale 500 euro, rroga mesatare 1200 euro”, tha Berisha.
/r.e//a.f/