E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: 1280 objekte publike për privatizim

Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e Task Force për privatizimin, në të cilën u diskutua mbi proçesin e privatizimit të aksioneve në pronësi të qeverisë në sipërmarrjet strategjike, sipërmarrjeve të tjera, të vogla e të mesme dhe objekteve publike të përcaktuara për privatizim, me përjashtim të hidrocentraleve e digave të mëdha, shkollave, spitaleve, ndërtesave publike e zyrave.

Kryeministri Berisha, duke evidentuar se janë 1280 sipërmarrje dhe objekte publike për privatizim, u kërkoi anëtarëve të Task Force-s të mobilizohen të gjitha potencialet dhe burimet njerëzore që ky proces të finalizohet brenda këtij viti.

“Ky proces”, tha kryeministri, është i një rëndësie përcaktuese, së pari, për luftën kundër korrupsionit, që mbetet gjithnjë kriteri dhe shtylla e parë e reformës sonë ekonomike. Të gjithë këto sipërmarrje dhe objekte duhet të kalojnë në duart e sektorit privat për menaxhim.”

Vitin e kaluar janë bërë përpjekje dhe ka pasur një seri privatizimesh, si dhe janë bërë të gjitha përgatitjet që gjatë këtij viti të finalizohet privatizimi i të gjitha sipërmarrjeve, përveç hidrocentraleve dhe digave të mëdha, shkollave, spitaleve, ndërtesave publike, zyrave. Ne duhet të ecim drejt privatizimit të plotë. Duhet të shiten të gjitha aksionet e shoqërive aksionare, qoftë ato të sektorit strategjik, qoftë të tjera të vogla e të mesme. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lakmi që ne të mbajmë pronësi mbi to. Duhet t`u rikujtoj se sektori privat sot është përgjegjës për rreth 84 përqind të Prodhimit të Brendshëm të vendit. Ne duhet të bëjmë që kjo përqindje të shkojë edhe më lart. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mobilizojmë të gjitha potencialet për finalizimin e këtij procesi. Ministria e Ekonomisë ka kontraktuar institucionet private ndër më seriozet, firma ndër më seriozet në Europë e në botë për privatizimin e Albtelekomit në një proces për shitjen e aksioneve të qeverisë në Albtelekom. Ministria e Ekonomisë po punon me IFC, Korporata Ndërkombëtare Financiare, për privatizimin e hidrocentraleve të vogla jo strategjike. Ministria e Financave po punon me një firmë serioze ndërkombëtare për privatizimin e INSIG-ut. Ne do të shkojmë drejt privatizimit të plotë. Ekonomia shqiptare merr një shtytje të re nga kjo valë e privatizimeve të këtij vit. Procesi i privatizimit është `perpetua mobile`, sepse në procesin e zhvillimit krijohen gjithnjë pasuri publike, por kjo qeveri është e vendosur që dora dorës të shkojë drejt privatizimit të tyre të vazhdueshëm” tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›