E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 47% e shqiptarëve janë larguar për shkak të politikave qeveritare

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë në Degën 5 në Tiranë, në kuadër të turit “Foltorja”.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për largimin e shqiptarëve nga vendi.

“Këto janë ndër kohërat më kritike për Shqipërinë. Në një 10-vjeçar, jo nga luftë apo epidemi, por nga një politikë çnjerëzore që shkelmon interesat e qytetarëve, shqiptarët janë larguar si asnjë komb tjetër në Europë”, u shpreh Berisha.

Ai iu referua të dhënave që, sipas tij, bazohen në statistikat e Eurostat, duke deklaruar se “nga viti 2015 deri në vitin 2024, vetëm në hapësirën Shengen janë larguar 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Nëse shtojmë edhe ata që janë larguar drejt vendeve të tjera si SHBA, Kanada, Australi apo Lindja e Mesme, kemi humbur rreth 47% të materies sonë kombëtare në 10 vite”.

Duke u ndalur te situata ekonomike, ai theksoi se rritja ekonomike nuk reflektohet në mirëqenien e qytetarëve.

“Rritja ekonomike që përmendet çdo ditë është pasurim i një grupi shumë të vogël dhe varfërim masiv i shqiptarëve. Kur çmimet rriten më shumë se rrogat, vështirësia ekonomike vetëm sa shtohet”, tha Berisha.

Sipas tij, në vitin 2013 shqiptarët ishin ndër më të paguarit në rajon, ndërsa sot situata është përkeqësuar.

“Sot jemi ndër më të keqpaguarit, ndërkohë që çmimet e ushqimeve dhe mallrave bazë janë rritur ndjeshëm, në shumë raste deri në dyfishim”, tha ai.

Berisha u ndal edhe te sektori i kulturës, duke akuzuar për degradim të institucioneve.

“Institucionet e kulturës në Tiranë janë shkatërruar nga korrupsioni. Sot, përveç Teatrit të Operës, nuk kemi më institucione kombëtare funksionale”, u shpreh kreu i PD.

Berisha përmendi edhe reagimin e një të riu shqiptar në Dublin.

“Një i ri shqiptar i tha një javë më parë në Dublin një përfaqësuesi të qeverisë: ‘Ne ikim sepse ju vidhni’. Ky është zëri i qindra-mijëra të rinjve që janë larguar nga Shqipëria”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te zhvillimet në sistemin e drejtësisë, duke kritikuar përdorimin e masave të sigurisë ndaj figurave politike dhe ish-zyrtarëve të lartë.

“Ne u ndamë nga koha e kundërshtarëve në kafaz, ajo ishte koha e Enver Hoxhës. Sot po shohim rikthim të këtyre praktikave në sallën e gjyqit”, deklaroi ai, duke iu referuar edhe çështjes së ish-presidentit Ilir Meta.

Sipas Berishës, përdorimi i masave të tilla synon, sipas tij, frikësimin e kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve.

Berisha shtoi gjithashtu se, raporti i fundit i Parlamentit Europian për Shqipërinë përbën një vlerësim kritik ndaj qeverisë.

Berisha u shpreh se raporti është miratuar me mbështetje të gjerë politike në Europë dhe se ai pasqyron, sipas tij, shqetësime të ngritura më herët nga rezoluta të ndryshme ndërkombëtare.

“Raporti i Parlamentit Europian ka gozhduar Edi Ramën në çdo rresht”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se, opozita dhe protestat kanë ndikuar në rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj zhvillimeve në Shqipëri, duke përmendur edhe misione faktmbledhëse të përbëra nga përfaqësues të partive dhe institucioneve evropiane.

Sipas Berishës, këto delegacione kanë zhvilluar takime me aktorë të ndryshëm në vend dhe kanë kontribuar në hartimin e raportit të fundit.

“Ky raport është i votuar nga i gjithë spektri politik europian dhe mbron qytetarët shqiptarë dhe procesin e integrimit”, tha ai.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›