Tabaku: Integrimi europian nuk është garë për numrin e ligjeve të miratuara, por test i zbatimit të tyre

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kritikoi sot mënyrën e funksionimit të procesit ligjvënës në Kuvend, gjatë aktivitetit “Dialog Politik me fokus Anëtarësimin në BE: Përforcimi i Cilësisë Legjislative Përmes Vendimmarrjes Gjithëpërfshirëse”, të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).
Në fjalën e saj, Tabaku theksoi se integrimi europian nuk mund të reduktohet në numrin e ligjeve të miratuara, por duhet të vlerësohet nga zbatimi i tyre, funksionimi i institucioneve dhe cilësia e demokracisë.
“Integrimi europian nuk është një garë për numrin e ligjeve të miratuara. Ai është një test i zbatimit të tyre, i funksionimit të institucioneve dhe i cilësisë së demokracisë”, u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, procesi i ligjbërjes në Kuvend nuk udhëhiqet më nga procedurat parlamentare apo normat ligjore, por nga vullneti i shumicës, duke ngritur shqetësime për mungesë të debatit real parlamentar.
Ajo kritikoi përdorimin e procedurave të përshpejtuara, duke deklaruar se ligjet kalojnë shpejt në Kuvend, ndërsa nismat që lidhen me kërkesat e Bashkimit Europian, sipas saj, mbeten të vonuara dhe jashtë vëmendjes së duhur.
“Nuk ka debat të vërtetë për integrimin europian. Ka shmangie, fshehje dhe propagandë”, tha Tabaku.
Ajo shtoi se kriza e demokracisë fillon kur kufizohet roli i opozitës në procedurat parlamentare dhe kur institucionet e pavarura, sipas saj, humbasin autonominë.
“Evropa nuk matet me ligjet e votuara brenda një nate. Ajo matet me shtetin e së drejtës, standardet demokratike dhe respektimin e pluralizmit”, përfundoi Tabaku.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ambasadori i Suedisë Niklas Ström, deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
1 nga 3/gj.m/r.e/