E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: A ka gjë më dramatike se sa ngrirja e pensioneve për 10 vite me radhë në një kohë kur çmimet vetëm rriten?

Ish-kryeministri Sali Berisha i cili vazhdon të zhvillojë takime në distancë me përkrahësit e tij, ndonëse ndodhet në arrest shtëpie, ka folur të shtunën për pensionistët. Ai ka shprehur keqardhjen se atyre nuk u është rritur pensioni në 10 vitet e fundit edhe pse çmimet vetëm rriten.

Sipas zotit Berisha nuk mungojnë paratë, por ato vidhen. “Krahas aleancës me krimin, e cila është e gjithëpushtetshme mbi jetën e qytetarëve, e gjithëpushtetshme mbi jetën e bizneseve, e gjithëpushtetshme në jetën e vendit, organizata kriminale qeveri me në krye Edi Ramën po përdor tiraninë e varfërisë kundër jush, kundër qytetarëve të thjeshtë” tha zotit Berisha i cili tani drejton fraksionin më të madh në PD të quajtur Rithemelimi. “A ka gjë më dramatike se sa ngrirja e pensioneve për 10 vite me radhë, në një kohë kur çmimet jo gjatë 10 viteve, por vetëm 4 vitet e fundit, janë rritur me 40 përqind” shtoi ai.

Zoti Berisha kujtoi se në vitet 2005-2013, pensionet e ulëta u dyfishuan, pensionet e tjera u rritën me 80 përqind, ndërkohë me fonde publike u ndërtuan dhe u rindërtuan 11 mijë kilometra rrugë, u ndërtuan dhe rindërtuan 1300 shkolla, u dyfishuan rrogat e punonjësve.

“Pavarësisht nga botëkuptimi që mund të kemi, por t’u lësh ju sot me zero rritje pensioni dhe të rrisësh 100 përqind rrogat e ministrave, deputetëve, zyrtarëve të lartë, a nuk është kjo një krim i shëmtuar, a nuk është kjo t’u përcjellin ju sa më parë nga kjo botë për mungesë ilaçesh dhe ushqimi.”, tha zoti Berisha para përkrahësve të tij.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›