E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Administrata të funksionojë me kapacitet të plotë deri sa të vijë qeveria e re

berisha-qeveri2Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e parë të qeverisë pas humbjes së zgjedhjeve, u ndal në dy çështje.

Fillimisht ai komentoi çështjen e gazsjellësit TransAdriatik dhe më pas bëri një thirrje për administratën.

Berisha tha se gazsjellësi TAP është një fitore e madhe për Shqipërinë.

Përfaqësuesit e Azerbajxhanit njoftuan zyrtarisht për përzgjedhjen e TAP-it dhe vlerësuan kontributin e Shqipërisë në këtë proces.

I shpreha mirënjohjen më të thellë qeverisë së Azerbajxhanit dhe konsorciumit Shah Deniz për përzgjedhjen e TAP-it.

Ky është një zhvillim me rëndësi strategjike për Shqipërinë, pasi në vitin 2019 sjell gaz në Shqipëri dhe vendi ynë zgjidh në mënyrë përfundimtare dhe të plotë problemin e energjisë.

Në këtë mënyrë gazi shndërrohet në burim kryesor për gatim dhe ngrohje. Ky është burimi më i leverdishëm i energjisë.

Ky projekt mbetet de facto projekti më i madh i gazit në Europë, një investim prej 2 miliard dollarë, tejkalon në investim çdo projekt tjetër gazsjellësi.

Mirënjohjen më të thellë për qeverinë e Azerbajxhanit, që ka dëshmuar ndjenjat më miqësore ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj konsorciumit Shah Deniz që e ka marrë vendimin kryekëput mbi kritere tregtare.

Shpreh mirënjohjen e thellë ndaj vendeve mike, Turqisë, Greqisë dhe Italisë për bashkëpunimin e shkëlqyer.

Kjo përbën arritjen më të madhe të Shqipërisë pas anëtarësimit në NATO në fushën strategjike, tha Berisha, duke shtuar se ka paraqitur kërkesën që në këtë projekt të përfshihet edhe Kosova.

Më pas Berisha apeloi administratën, për të cilën rezervoi edhe falënderime, që të punojë me përkushtim deri në ardhjen e qeverisë së re.

Çështja e dytë është kjo, fushata elektorale mbaroi, zgjedhjet përfunduan. Detyra jonë është deri në ditën kur parlamenti voton kabinetin e ri dhe të betohet presidenti. Deri në atë ditë qeveria dhe administrata duhet të funksionojë me të gjitha kapacitetet dhe xhiro të plotë. Pra, çdo lloj demotivizimi është shumë i pandershëm, i padenjë, i papranueshëm. Administrata e këtij vendi është një aset i madh, një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten të funksionojë me kapacitet të plotë, me përkushtim të madh deri ditën që ne do dorëzojmë punën tek qeveria tjetër.

Jeni shumë të lutur që këtë mesazh që kam për punonjësit e administratës, tua përcillni direkt në takime, tha Berisha./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›