E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Akte të mosbindjes civile më 8 shkurt

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha organizoi sot një takim në selinë blu me drejtuesit politikë dhe kryetarët e degëve të kësaj partie, ku fokusi i veçantë ishte protesta e paralajmëruar e 8 shkurtit. Berisha bëri thirrje për një mobilizim masiv, duke e cilësuar atë si një betejë për votën e lirë.

“Protesta e datës 8, si çdo mosbindje e jona civile, ka synim votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Beteja jonë ndalet vetëm në fitore. Por, këtu duhet të mobilizojmë të madh e të vogël, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit dhe të ndërmarrim një seri aktesh mosbindje civile. Jemi në betejë me diktaturën, asnjë njeri nuk duhet ta harrojë këtë” tha ai.

Kryedemokrati tha se Partia Demokratike po ecën e sigurt drejt fitores së zgjedhjeve të 11 majit.

“Jemi të sigurt në fitore. Nuk mund të na e marrë Edi Rama ne me këto mjete që po përdor. Pse, mor zotëri, do t’u heqësh 1 milion shqiptarëve të drejtën për të votuar? Ne do t’ua sigurojmë atyre të drejtën. Është një çështje shumë e madhe”.

Berisha kërkoi bashkëpunimin e demokratëve për të denoncuar shkeljet e zyrtarëve.

“Ju lutem shumë, kudo që t’i shihni zyrtarët, të cilët ligji i ndalon të marrin pjesë në fushatë elektorale, i gjuani me domate dhe vezë, i regjistroni dhe i fotografoni. I garantoj se do të dënohen shumë rëndë dhe se krimi elektoral do të shpallet krim i rëndë,” tha Berisha.

Kreu i PD tha se në 8 shkurt e gjithë Shqipëria zbret në Tiranë, ndërkohë që nuk duhet të hiqet fokusi nga takimet me diasporën dhe zgjedhjet e 11 majit.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›