Berisha: Amnistojmë gjobat në dy muajt e parë të qeverisjes së PD

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në takimin me anëtarët e degës nr. 7 në Tiranë dhe qytetarët, ka ritheksuar edhe njëherë pikën e programit qv ai e quan paketa e dhembshurisë dhe përcaktimin e minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo person që është në varfëri ekstreme.
“Ne kemi një ndërhyrje urgjente dhe kjo ndërhyrje urgjente është vendosja e minimumit jetik 200 euro. Çdo shqiptar do marrë 200 euro, çka do të thotë se ai do ketë 6,3 euro në ditë. Me 6,3 euro në ditë del nga mjerimi, prapë varfëri ka, por mjerim jo”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së Sali Berisha është shprehur se, lista e rimbursueshme në Shqipëri, do të ketë 100% të gjitha ilaçet që ka edhe Italia në listë.
“Absolutisht do futen në listën e rimbursimit 100 për qind të gjitha ilaçet që një vend i zhvilluar, që Italia apo një vend tjetër i zhvilluar, i ka në listën e rimbursimit. Po, nuk jemi si Italia ne, po për të sëmurët do të bëhemi si Italia ne. Atyre ilaçet mund t’ua sigurojmë”, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Berisha u shpreh se të gjitha gjobat do të amnistohen në 2 muaj e parë të qeverisë së PD-së. Ai denoncoi gjithashtu edhe faktin se, janë më shumë se 50 mijë rroga në shtet, që i marrin njerëz të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë.
Berisha ftoi Edi Ramën në debat publik.
“Lëri monologjet çdo mëngjes me zhaba, hardhucë dhe zhapinj dhe urdhëron zotëri të dalim si të kesh dëshirë, me gazetarë, pa gazetarë, me qytetarë, pa qytetarë, urdhëro të dalim të paraqesim programin tonë për qytetarin shqiptar dhe Shqipërinë”, theksoi Berisha.
Berisha deklaroi se Shqipërinë do ta integrojë në BE, Partia Demokratike. /j.p/