Osmani e Radev diskutojnë forcimin e partneritetit Kosovë-Bullgari në mbrojtje

PRISHTINË, 4 prill/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Sofje ka zhvilluar një takim bilateral me homologun e saj bullgar Rumen Radev, me të cilin ka diskutuar mbi forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve në veçanti në fushën e mbrojtjes.
Osmani në një postim në rrjetin X, ka shkruar se Bullgaria është partnere dhe aleate e vazhdueshme e Kosovës.
“E falënderova (presidentin Radev) për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për rrugëtimin tonë euro-atlantik”, ka shkruar ajo.
Osmani ndodhet në Bullgari, ku po e përfaqëson Kosovën në Procesin Aqaba për Ballkanin III, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, krahas liderëve të tjerë. Osmani ka mbajtur fjalim në hapje të samitit dhe ka zhvilluar takime të ndara bilaterale.
Gjatë ditës presidentja Osmani zhvilloi një takim bilateral me Mbretin Abdullah II të Jordanisë, me të cilin ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, sfidat e sigurisë dhe zhvillimet gjeopolitike.Ky takim organizohet nën përkujdesjen e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Procesi Aqaba, i iniciuar nga Mbreti Abdullah II i Jordanisë në vitin 2015, ka luajtur një rol kyç në koordinimin e përpjekjeve globale kundër terrorizmit dhe adresimin e sfidave të sigurisë.
Në forum marrin pjesë edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryetarja e Presidencës së BeH Zhelko Cvijanoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Silanovska-Davkova, presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc-Musar, presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Brendshëm i Belgjikës Bernard Quintin. /KosovaPress/