E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Basha fitoi. KQZ ka fuqi mbretërore

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha falënderoi deputetët për punën e bërë në këtë fushatë.

E nisëm fushatën si koalicioni më i fuqishëm

Koalicioni ynë mori një mbështetje historike në raport me kundërshtarin tonë. Kemi 17 përqind më shumë vota. Kemi 140 mijë vota më shumë në mbarë vendin.

Ky është një plebishit madhështor i qytetarëve shqiptare për suksesin e reformave qeverisëse. Shqiptarët vlerësuan koalicionin qeverisës dhe i dhanë atij një mbështetje të jashtëzakonshme.

Kjo fitore është një simotër e vitit 1992. Nëse i konvertojmë në vota deputetësh na takon të kemi rreth 17 deputetë më shumë.

Në këto zgjedhje, Shqipëria u ngrit më demokratike se kurrë. Mbi 1 milion e 600 mijë shqiptarë votuan. Kjo pjesëmarrje masive ishte vlerësim masiv për koalicionin qeverisës, tha Berisha.

Kryeministri tha se Tirana votoi për Bashën. Berisha tha se që nga data 12 maj, dmth 4 ditë pas zgjedhjeve, kanë nisur të merren me fletët e hedhura në kutitë e gabuara. U shpreh mirënjohje qytetarëve të Tiranës për votën e tyre evropiane. Ne qeverisim 7 nga 11 minibashki. Sot, Lulzim Basha, që zhvilloi një fushatë simfoni të vërtetë, është 78 vota para. Natyrisht që pritet finalizimi i të gjithë problematikës, por e vërteta është se në këtë fitore të ngushtë, qytetarët e Tiranës e votuan Lulzim Bashën më shumë se çdo kandidat tjetër.

Falënderoj të gjithë ata që organizuan në Tiranë një proces dinjitoz. Fitorja në Tiranë është një fitore e ngushtë. Me datë 14 maj rezultoi se Rama ishte 10 vota para, askush nuk e mohoi këtë. Por në një qendër votimi në zonën 8, një komisioner na mohoi 10 vota. Ky sistem zbatohet tek kontesti. Ai që mendon se mund të prekë këtë sistem, nuk do të mund ta bëjë kurrë.

Më datë 12 maj kur Basha ishte përpara, sinjalizuam të gjithë përfaqësuesit tanë në komisione të evidentohet çdo votë e hedhur në kutitë e garave të tjera.

Neni 45 i Kushtetutës thotë se vota është vetjake, e lirë, e barabartë dhe sekrete. Nëse një votë numërohet e një tjetër jo, pabarazia prek themelet e Kushtetutës së vendit. Direktivat e standardit të OSBE dhe KiE përcaktojnë si kusht për numërimin e votës intencionin e zgjedhësve, tha Berisha.

Ndërsa faktin se përse Basha ka më shumë vota në kutitë e gabuara, Berisha tha se fansat e Bashës kishin më shumë emocione.

Kryeministri u shpreh se KQZ ka fuqi mbretërore, të cilat i duhen forcuar edhe më shumë. Berisha tha se KQZ mund të marrë vendime ekzekutive, madje edhe vetem me nje anetar a nje punonjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›