E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bojkoti nuk është opsion, do bëjmë gjithçka që parlamenti të funksionojë sipas Kushtetutës

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Partia Demokratike mblodhi sot grupin parlamentar, ndërsa deputetët e saj nuk morën pjesë ditën e sotme në komisionet parlamentare.

Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i PD-së, Sali Berisha paralajmëroi se grupi parlamentar i PD-së do të bëjë gjithçka që parlamenti të funksionojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve.

“Grupi parlamentar i PD do të bëjë të gjitha përpjekjet që i takojnë për t’i rikthyer parlamentin qytetarëve shqiptarë, për të kthyer parlamentin e Shqipërisë, në parlament që funksionon mbi bazën e Kushtetutës dhe Rregullores së parlamentit”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se do të “përdorim të gjitha mjetet, gjersa parlamenti të funksionojë”, ndërsa përjashtoi mundësinë e bojkotit.

“Bojkoti nuk është opsion. Ne e kemi të ndaluar bojkotin”, tha Berisha.

Berisha shtoi se sot për sot, parlamenti funksionon i tëri jashtë përcaktimeve të Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit duke shtuar se aktualisht parlamenti është një instrument opresiv ndaj opozitës.

“Sot për sot parlamenti është një instrument opresiv ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk shpreh më, nuk merret me të drejtat e qytetarëve shqiptarë, me interesat e tyre, dhe siç keni parë ju, pas 10 seancash është bllokuar debati në 9 seanca dhe është lejuar në vetëm në 1 seancë”, tha Berisha.

Ndërkohë, kreu i PD-së vuri në dukje se deputetët e kësaj partie kanë qenë në çdo mbledhje të komisioneve parlamentare ku kanë shqyrtuar ligje dhe vendime me seriozitetin më të madh.

Berisha gjithashtu u pyet në lidhje me platformën që do të vendoset para kryeministrisë për fjalimet që, sipas tij, u mohohen në Kuvend.

“Platforma do të jetë në ditë të caktuara, më së shumti ditëve të enjte, por pas mbledhjes u la që ta përcaktojë një grup i caktuar”, tha Berisha.

I pyetur nëse ka një datë për protestë kombëtare që ka paralajmëruar, Berisha theksoi “absolutisht do të shkohet drejt protestës kombëtare, por para së gjithash do të vendosen këto masa dhe pastaj do të kalohen drejt protestës kombëtare”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›