E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon numërimi në Vlorë, kandidatja e PS Brunilda Mersini: Jam e emocionuar dhe e vetëdijshme për sfidën që më pret

Kandidatja e Partisë Socialiste, Brunilda Mersini, është në prag të një fitoreje të padiskutueshme në zgjedhjet e pjesshme vendore në bashkinë e Vlorës.

Deri më tani janë numëruar 222 nga 231 qendra votimi, duke përfaqësuar pjesën dërrmuese të votave, dhe rezultati nuk pritet të ndryshojë.

Mersini kryeson bindshëm me rreth 15,143 vota, që përfaqësojnë 78.33% të totalit të votave të deritanishme.

Me ritmin aktual të numërimit dhe diferencën e madhe në vota, fitorja e Mersinit konsiderohet e sigurt, ndërsa procesi po përmbyllet pa incidente.

Fitorja e Mersinit u festua në Qendrën e Numërimit në Vlorë, ku ajo u shoqërua nga deputetë dhe struktura të partisë.

Në një prononcim për mediat, kandidatja socialiste u shpreh e emocionuar dhe e vetëdijshme për përgjegjësinë që e pret.

“Jam e emocionuar dhe e përgjegjshme për sfidën që më pret. Pjesëmarrja prodhoi një fitore. Në momentin që ka një fitore, ka edhe një analizë, por është shumë e rëndësishme kjo fitore,” tha Mersini.

Ajo theksoi përkushtimin ndaj qytetit të Vlorës, duke nënvizuar se e njeh ritmin dhe energjinë e tij, dhe se do të jetë çdo ditë pranë qytetarëve.

“Unë vij nga ky qytet. E njoh ritmin e tij, energjinë dhe sfidat që përballon çdo ditë. Do të jem çdo ditë pranë qytetarëve të Vlorës, me ndjeshmëri dhe përkushtim të plotë,” u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, Mersini shprehu respekt për kundërshtarët në garë dhe për të gjithë bashkëqytetarët që morën pjesë në procesin zgjedhor.

 “Gara është garë. Kam respekt për çdo bashkëqytetar timin, përfshirë edhe kandidatët që nesër mund të jenë kolegë në dyert e bashkisë,” u shpreh ajo, duke lënë të hapur një ftesë për bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje.

Në përfundim, Mersini i dedikoi fitoren Partisë Socialiste dhe strukturave që e mbështetën gjatë gjithë procesit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›