E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Çdo i mitur që sulmohet, i mirëpritur dhe do mbrohet në PD

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mbrëmjen e sotme policinë për përdorim të gazit lotsjellës në territorin e selisë së PD-së.

Në njê deklaratë për gazetarët, Berisha e cilësoi veprimin e policisë si hakmarrje pas dështimit të një skenari për të nxitur sulme ndaj selive të partive politike gjatë protestës.

Berisha tha se nuk ka pasur asnjë përpjekje nga protestuesit për të sulmuar godinën e PD-së dhe se përdorimi i gazit ishte i pajustifikuar.

“Por kësaj here, kur dështuan, ora erdhi dhe ata të cilët, domethënë, në këtë skenar nuk po realizohej, policia në mënyrën më hakmarrëse, më të turpshme, më kriminale, dhunon territorin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, në shkelje të rëndë të ligjeve dhe Kushtetutës”, deklaroi Berisha.

Ai u shpreh se përdorimi i gazit ishte një akt reprezaljeje ndaj opozitës dhe sqaroi se personat e pranishëm në seli ishin prekur nga sasitë e hedhura.

“Jo vetëm që hedhin sasi të stërmëdha bombulash gazi pa patur absolutisht asnjë lloj motivi, vetëm reprezalje ndaj Partisë Demokratike për dështimin e skenarit të tyre. Sasitë e gazit kanë qenë kolosale, kanë sëmurë njerëz këtu, i kanë helmuar njerëzit, dhe ju e patë vetë”, tha kreu i PD-së.

Në vijim, Berisha pretendoi se ishte përpjekur të nxitej një sulm i dytë ndaj selisë së PD-së, nga ora 20:30 deri në orën 21:30.

“Tani që i dështoi projekti, i kemi me prova, përpiqen, bëjnë përpjekjen e dytë që kjo seli e PD-së do sulmohej nga ora 8:30 në orën 9:30. Përsëri njerëzit e vërtetë të protestës që janë shumica dërrmuese nuk mund të manipuloheshin dhe jagot e Edi Ramës në lëvizje, e braktisën masivisht”, deklaroi Berisha.

“Paralajmëroj Edi Ramën se demokratët janë në këmbë më shumë se kurrë, janë në mosbindje civile më shumë se kurrë dhe janë jo vetëm në Tiranë, por janë edhe do jenë nga Saranda, Delvina, në Tropojë. Në të katër anët e vendit, regjimi do të dridhet, regjimi nuk ka më paqe dhe qetësi”, tha kreu i PD.

Berisha tha se “çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do mbrohet në përputhje me ligjet nga Partia Demokratike. Mbrojtja e të miturit është detyrë themelore e çdo të rrituri. Ata që sulmojnë të miturit, ata shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit. Unë nuk isha i informuar me këtë, por unë i përgëzoj demokratët që i kanë marrë në mbrojtje ata dhe do t’i marrin në mbrojtje, sepse ky është një narkoshtet që sulmon të miturit”.

Më herët, deputeti demokrat Eno Bozdo  akuzoi Policinë e Shtetit për përdorimin e bombolave të gazit lotsjellës pranë selisë së PD-së në Tiranë, duke e cilësuar ndërhyrjen si të paprovokuar.

Situata u tensionua pranë PD pasi protestuesit u larguan nga Bulevardi dhe akset kryesore të rrugve në kryeqytet pas hedhjes së gazit lotsjellës nga policia. Disa disa prej protestuesve u strehuan brenda selisë së Partisë Demokratike.

“Ervin Demo ka provokuar demokratët, duke hedhur gaz në selinë e tyre. Këtu mund të shihni dhjetëra bombula gazi, pa pasur asnjë incident. Nuk kishte asnjë provokim”, tha edhe deputeti Belind Këlliçi.

/e.i/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›