Berisha: Demokracia në Shqipëri është në agoni

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përcjellë përmes një videomesazhi nga Strasburgu, ku ndodhet për punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, çështjet që ka ngritur gjatë qëndrimit të tij në këtë institucion.
Në qendër të deklaratës së tij ishte situata në Shqipëri dhe akuzat ndaj qeverisë Rama.
Berisha u shpreh se fokusi kryesor i tij ka qenë “denoncimi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë”, duke e lidhur këtë situatë me pasojat që, sipas tij, janë shfaqur në ekonomi, bujqësi, industri dhe zhvillimet demografike.
Ai deklaroi se, “Shqipëria është një nga aktorët kryesorë në trafikun e kanabisit drejt Europës”, ndërsa, “grupet kriminale shqiptare kanë rol edhe në transportin e kokainës nga Amerika Latine”.
Berisha tha se, në Strasburg ka kërkuar mbështetjen e institucioneve europiane në luftën kundër narkoshtetit, duke e paraqitur këtë si një problem që prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin.
Berisha u ndal edhe te zhvillimet në Serbi, duke komentuar përdorimin e figurës së Ratko Mlladiç në fushatën politike.
Ai akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç se po mbështetet politikisht nga elementë të lidhur me të kaluarën e luftërave në rajon dhe kërkoi që ndaj Serbisë të merren masa në raport me Këshillin e Europës.
Sipas Berishës, përdorimi i figurës së Mlladiç përbën shkelje të parimeve themelore europiane dhe paraqet rrezik për stabilitetin e rajonit.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Berisha ishte gjendja e medias në Shqipëri. Ai theksoi se pjesa dërrmuese e medieve kontrollohet nga një aleancë mes qeverisë, biznesit dhe grupeve kriminale.
Berisha dënoi gjithashtu aktet e dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave, duke kërkuar ndërhyrje urgjente ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së medias.
Kreu i PD deklaroi se “demokracia në Shqipëri është në agoni”, ndërsa akuzoi qeverinë se po konsolidon një sistem autoritar të mbështetur te krimi, droga dhe korrupsioni.
/gj.m/r.e/a.f/