Berisha: Dështoi perçarja, duhet bashkim i të gjitha forcave politike në mbështetje të studentëve - ATSH -
TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ftoi sot qytetarët shqiptarë dhe gjithë forcat politike t’i bashkohen protestës studentore.
Përmes një deklarate për shtyp, Berisha u shpreh se shqiptarët duhet të bëjnë të mundur largimin e kësaj qeverie dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Shqiptarët duhet të zgjedhin me votën e tyre më të mirët që ata mendojnë. Sot dështoi përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën. Studentët e revoltuar, gjimnazistët kërkojnë që Edi Rama të largohet menjëherë nga pushteti”, tha Berisha.
Ndaj sipas tij, ka një përpjekje të dëshpëruar për t’i izoluar studentët nga mbështetësit e vërtetë dhe të fuqishëm të tyre.
“Po kjo nuk ndodh kurrë. Në këtë përpjekje pati dhe mjeranë të angazhuar nga policia kriminale, por që të gjithë morën përgjigjen e merituar. Pra mund të themi se sot Edi Rama dështoi në mënyrë përfundimtare që të përçajë protestën”, shtoi Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se protesta studentore ka nevojë jetike të mbështetet nga të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është një e keqe e madhe në këtë vend që duhet të largohet menjëherë.
“Pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kenë njëri me tjetrin, pavarësisht nga programet e ndryshme që mund të kenë, rëndësi kapitale ka që shqiptarët të mund të votojnë të lirë dhe me votën e tyre të zgjedhin më të mirët e të mirëve që ata besojnë”, theksoi Berisha.
Berisha dënoi po ashtu dhunën policore dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të studentëve të ndaluar në komisariatet e policisë.
“Ftoj të gjithë ata policë që kanë minimumin e ndërgjegjes kombëtare dhe njerëzore të hedhin kapelet dhe të bashkohen me studentët. Studentët po bëjnë një betejë për çdo shqiptar edhe për policët dhe fëmijët e tyre”, shtoi ai.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
