E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Dhimitër Anagnosti do jetojë përgjithmonë në krijimet, veprën, trashëgiminë e tij të ndritur

TIRANË, 1 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisorit të mirënjohur Dhimitër Anagnosti, ku theksoi se ai “do jetojë përgjithmonë në krijimet, veprën, trashëgiminë e tij të ndritur”.

“Homazh për Dhimitër Anagnostin! Të dashur miq, familja e nderuar Anagnosti, miqtë e saj, bota e artit, filmit, kulturës janë në zi e dhimbje.

“Për Dhimitër Anagnostin, kollos i regjisë, filmit, skenarit, intelektual i shquar i kombit, ish-ministër i aftë dhe dinjitoz, atdhetar, prind, bashkëshort e qytetar shembullor, dielli perëndoi përgjithmonë. Por Dhimitër Anagnosti do jetojë përgjithmonë në krijimet, veprën, trashëgiminë e tij të ndritur”, shkruan Berisha.

Berisha shkruan më tej se “duke shprehur nderimin dhe mirënjohjen time më të thellë për kontributin, veprën e tij të pavdekshme, bashkëpunimin që kemi pasur, shpreh gjithashtu familjes së tij të nderuar, Rozës, fëmijve, miqve, të afërmve ngushëllimet më të ndjera të miat dhe të PD, dhe lutem së bashku me ta që shpirti i madh i Dhimitrit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar”.

Regjisori i mirënjohur Dhimitër Anagnosti ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare.

Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar. Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera.

Filmat më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj., janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006). Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10 të Filmit Artistik Shqiptar.

Për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2011).

/m.q//a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›