E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Do bëjmë gjithçka që të mos ketë më të vobektë ekstremë

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë sot në një iftar të shtruar në Kamzë nga komuniteti i Kalasë së Dodës me rastin e Muajit të Ramazanit. Të pranishëm në këtë iftar, ishin edhe deputeti dhe kryetari i PD Kamzë, Petrit Doda dhe besimtarë.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së u shprehu të gjithë besimtarëve myslimanë të pranishëm në iftar, një agjërim të lehtë dhe që Zoti t’ua pranojë sakrificat në emër të fëmijëve dhe familjeve të tyre.

“Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që Ramazanin tjetër, që vitin tjetër të mos ketë më të vobektë ekstremë në këtë vend”, tha Berisha.

Kryetari i PD-së tha se opozita e ka shpallur këtë vit, si vitin e Diasporës, “si një detyrim të madh që Shqipëria duhet të ndjejë ndaj atyre burrave dhe grave, djem e vajzave të saj që u larguan për pamundësi jetese në këtë vend”.

“Të bëjmë gjithçka që ata të kthehen në Tiranë, të kthehen kudo në Shqipëri dhe ëndërrat e tyre t’i rindërtojnë në Shqipëri, t’i lehtësojnë, t’i ndihmojmë në një rifillim të ri të jetës së tyre, në vendin e tyre. Pra në rrafshin e sakrificës, le të urojmë edhe njëherë që sakrifica e secilit t’i shndërrohet në një mirësi për të ardhmen dhe unë ju falënderoj, përulem me nderim të madh para sakrificave tuaja, para të gjithë banorëve të Kalasë së Dodës, atyre që jetojnë tani në Kala, e të tjerëve që janë shpërndarë në Shqipëri e jashtë saj”, përfundoi Berisha. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›