E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Do kërkojmë në Kuvend faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për energjinë elektrike

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, ditën e sotme deklaroi se, PD do të kërkojë në Kuvend faljen e të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave për energjinë elektrike, duke përfshirë shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla.

Berisha kritikoi qeverinë për përdorimin e shtetit në mënyrë elektorale dhe për miratimin e ligjit “Për porcedurat tatimore”, të cilin ai e cilësoi si ligji i “blofit”, dhe që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Berishës, gjobat e vendosura mbi këtë ligj janë të paligjshme dhe do të kthehen për ata që i kanë paguar. Berisha gjithashtu thekson se, në qeverisjen e PD-së, do të përcaktohet një kuadër ligjor për çmimet e energjisë në përputhje me rrogat dhe pensionet, duke siguruar një minimum bazë të energjisë për funksionimin e familjeve.

Ai kundërshtoi fort ligjin për përdorimin e drogës, duke e quajtur të paligjshëm dhe të nxituar. Berisha tha se ky ligj, de fakto, legalizon përdorimin e drogës, veçanërisht kanabisit, dhe premton se do ta kundërshtojnë me forcë. Ai kërkoi studime më serioze për përdorimin farmaceutik të kanabisit dhe citoi studime që paralajmërojnë efekte negative, si rritja e rrezikut për skizofreni.

Ai akuzoi qeverinë për përpjekjen për ta kaluar ligjin pa diskutim dhe pa dëgjuar ekspertët, duke e quajtur këtë një veprim të pa standarde dhe të dëmshëm.

Kryetari i PD akuzoi kryeministrin Rama për lidhje me grupe kriminale në Dubai dhe për takime të fshehta që lidheshin me investimet në Portin e Durrësit.

Ai e konsideroi projektin e portit të ri si një aferë korrupsioni të madh, duke theksuar se fillimisht Rama tha se do të ishte një investim privat, por tani porti do të kushtojë mbi 1 miliard euro për shqiptarët. Berisha kritikoi dështimin e tenderëve dhe akuzoi qeverinë për abuzim me pasurinë publike dhe për të krijuar mundësi për pazare korruptive.

Kreu i PD, u shpreh se do të insistojë për një tjetër interpelancë me kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar atë për frikë dhe pasiguri.

Berisha foli rreth hetimeve ndërkombëtare ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit, dhe sugjeroi se ky hetim do të nxjerrë në pah të vërtetën. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›