Celibashi takim me Këshillin Koordinues të Diasporës: Fushatë informimi për regjistrimin e votuesve nga jashtë

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u zhvillua sot një takim pune me Këshillin Koordinues të Diasporës për të diskutuar mbi ecurinë e përgatitjeve për votimin nga jashtë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet e datës 11 Maj 2025.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shprehu mirënjohjen për angazhimin, bashkëpunimin e ngushtë dhe kontributin e dhënë nga përfaqësuesit e diasporës për votimin nga jashtë.
KSHZ i njohu me përgatitjet dhe masat e marra për mirorganizimin dhe miradministrimin e procesit të votimit të diasporës për zgjedhjet për Kuvend, aktet rregullatore të miratuara, strategjinë e edukimit të zgjedhësve nga jashtë, ndërtimin e Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), siguritë dhe garancitë që do të ofrojë PER si dhe afatet zgjedhore për zgjedhësit nga jashtë.
Gjatë bashkëbisedimit, u dakordësua koordinimi mes KQZ-së dhe Këshillit Koordinues të Diasporës me qëllim zhvillimin e një fushate intensive informimi dhe edukimi sa i përket regjistrimit të votuesve nga jashtë, për të votuar për zgjedhjet e përgjithshme.
Takimi u zhvillua në kuadër të Javës së Diasporës, dhe aktiviteteve të organizuara nga Këshilli Koordinues i Diasporës, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
1 nga 12/r.e/