Berisha: Do rikthejmë zgjedhjet e lira dhe mediet e pavarura në Shqipëri

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot qeverinë për vjedhje të qytetarëve dhe përdorim të krimit për të kontrolluar vendin, duke paralajmëruar se kjo do të shpallet krim i rëndë.
Fjalën e tij, gjatë protestës së 4-t kombëtare të thirrur nga opozita, Berisha tha se qeveria po përdor falangat e krimit, organizatat kriminale dhe kartelët e drogës për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve dhe për të plaçkitur vendin.
Ai shtoi se opozita është e vendosur të vendosë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.
“Ta dinë mirë se edhe prapa diellit po të shkojnë, ne do t’i gjejmë ata, ne do t’i ndëshkojmë ata me forcën e ligjit”, tha Berisha.
Duke krahasuar regjimin e Edi Ramës me diktaturën e Enver Hoxhës, Berisha tha se vendi po shndërrohet në një popull fantazmë për shkak të korrupsionit dhe vjedhjeve të qeverisë.
“Pra, ai regjim 46-vjeçar vendosej mbi disa shtylla që rëndonin çdo ditë mbi shqiptarët. Sot, regjimi i Edi Ramës përsëri ngrihet mbi tre shtylla turpi, mbi tre shtylla, të cilat rrënojnë çdo ditë qenien tonë”, deklaroi ai.
Ai gjithashtu u zotua për rikthimin e mediave të lira dhe zgjedhjeve të ndershme në vend.
“Por ja ku jemi sot këtu më shumë se kurrë për t’u zotuar se ne do rikthejmë mediet e lira në Shqipëri, do rikthejmë zgjedhjet e lira në Shqipëri dhe se Shqipëria do të jetë një vend normal, një vend i bekuar siç e ka bërë Zoti, vendi i njerëzve të lirë”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha theksoi se opozita është forca e vetme që mund të shpëtojë vendin dhe qytetarët, duke rikujtuar rolin historik të PD-së në rrëzimin e diktaturës komuniste.
“Por një ditë ne u faktuam shqiptarëve dhe botës se ishim opozitë, dhe ishim opozita më e guximshme e Europës. Dhe ishim opozita që u përballëm në një betejë epike të pashembullt me diktatorin më gjakësor dhe e shembëm atë. Sot, përsëri, sytë e Europës, sytë e mbarë botës, sytë e shqiptarëve, mendjet, zemrat e tyre janë të drejtuara tek ne, tek ne dhe vetëm tek ne. Por në qoftë se 35 vite më parë me të drejtë pyesnin, a janë apo nuk janë në opozitë këta, sot pas betejave tona, pasi u ngritëm si Feniksi nga hiri, nuk pyet kush më jemi apo nuk jemi, jemi uragani, jemi forca, jemi opozita e vërteta. Do shpëtojmë Shqipërinë”, u shpreh ai.