E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Tirana është në duart e kryengritësve paqësorë

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer në selinë e PD-së pas përleshjeve mes forcave të policisë dhe protestuesve.

Në një prononcim nga shkallët e selisë së PD-së, Berisha u shpreh se Tirana është në duart e kryengritësve paqësorë dhe se regjimi po përdor mjete të ndaluara me ligj. Ai theksoi se urdhëruesit e dhunës ndaj protestuesve do të marrin ndëshkimin e merituar. Ai theksoi se disa protestues janë goditur edhe me plumb gome.

“Është gjuajtur me plumb gome kandidatja jonë për deputete në Shkodër, Senida Mehmeti, protestuesja më paqësore. I garantoj se do të marrin ndëshkimin shembullor”, deklaroi Berisha.

Ndërkaq, zonja Mehmeti tha se besonte se plumbi prej gome që e goditi në ballë kishte ardhur nga tarraca e Kryeministrisë.

“Goditja ka ardhur pa përfunduar fjalimi i kreut të PD-së. Kam qenë në rreshtin e parë si dëgjuese dhe protestuese. Nga pozicioni im, duhet të ketë ardhur nga tarraca e Kryeministrisë, kam qenë në të majtë të skenës, nga andej ka ardhur edhe goditja”, theksoi ajo.

Kreu i PD-së siguroi se protesta do të vijonte dhe se protestuesit kishin një vullnet të hekurt.

Protestues të PD hedhin molotovë në zonën rreth Kuvendit, foto: ATSh 1 nga 21

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›